Largohen konsujt honorar, Cakaj: dorëzoni targat

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj u bëri thirrje sot 38 Konsujve të Nderit në Shqipëri që të dorëzojnë targat diplomatike për të marra targat e reja sipas ligjit.

“Ka ardhur koha që të zhbëjmë një problematikë, sa origjinale në absurditetin e vet aq edhe në mospërputhje me ligjet ekzistuese në Shqipëri dhe praktikat e mira ndërkombëtare në përgjithësi. Jemi një vend në botë ku kemi plot 48 Konsuj Nderi, të veshur me privilegje diplomatike ngaqë operojnë me targa diplomatike. Bëhet fjalë në përgjithësi për qytetarë shqiptarë, të cilët ne jemi krejtësisht të nderuar t’i kemi Konsuj nderi këtu, biznesmenë të njohur, afaristë të ndryshëm, pronarë mediesh, analistë politikë që janë ngarkuar në Shqipëri si Konsuj Nderi nga vende të ndryshme, pothuajse nga çdo kontinent i botës dhe qarkullojnë me privilegje të caktuara diplomatike në Shqipëri dhe jo vetëm. Njësoj si ambasadorët dhe trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri. Shqipëria është e nderuar ti ketë këta konsuj nderi këtu, dhe janë të lirshëm ti kryejnë detyrimet e tyre por, por edhe ata do jenë më të nderuar në rast se aktiviteti i tyre do të kornizohet në kuadër të ligjit”’, tha Cakaj.

“Sqaroj se trajtimi i Konsullit të Nderit me targa rregullohet me ceremonialin shtetëror të Republikës së Shqipërisë në kapitullin 7 me titullin Privilegje dhe Imunitete dhe në pikën 5.8 të këtij materiali thuhet Konsujt e Nderit pavarësisht nga shtetësia, ekskluzivisht për qëllime zyrtare përdorin një automjet me targë të zakonshme kombëtare, theksoj me targë të zakonshme kombëtare dhe me një shenjë dalluese ovale në të djathtë të targave kombëtare me simbolet HCC. Në shkelje të habitshme të këtij ligji janë plotë 38 Konsuj Nderi të pajisur me targa CD, të cilët i kemi mes nesh dhe hyjnë e dalin nga kufijtë e këtij vendi, jo si qytetarë të thjeshtë shqiptarë, madje as si shumica e zyrtarëve qeveritarë, por si përfaqësuesit më të lartë diplomatik ndërkombëtarë”, theksoi Cakaj.

“Ky privilegj special, krejt unikal në Europë dhe mbase dhe më gjerë është i pajustifikueshëm nga çdo këndvështrim prandaj ai duhet të marrë fund. Me përulësinë e keqardhur për këtë ndryshim dhe jam i bindur se edhe Konsujt përkatës do të më mirëkuptojnë informoj të gjithë personat në fjalë se zyra e protokollit do të fillojë me kontaktimin e tyre dhe ata janë të detyruar të dorëzojnë targat diplomatike dhe do të pajisen menjëherë me shenjën e vulës dalluese ovale HCC”, u shpreh Cakaj.

“Për të shmangur disa prej përvojave të deritashme, ku individë të caktuar kanë treguar neglizhencë të konsiderueshme ndaj thirrjeve të protokollit, sepse duket se janë ndjerë tepër të fuqishëm, i informoj po ashtu se në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Transportit do të veprohet në efiçencë të plotë për të ndërmarrë të gjitha masat ligjore dhe administrative që targat në fjalë të dalin jashtë funksionit dhe përdorimit në përgjithësi”, tha Cakaj.

Cakaj theksoi se, “kjo masë nuk ndërlidhet me emra të veçantë, nuk është bazur në paragjykim të veprimtarisë së ndonjë personi në mënyrë të posaçme, por vjen thjesht nga domosdoshmëria e respektimit të ligjit dhe instalimit të praktikave të njohura ndërkombëtare edhe në Shqipëri”.

Cakaj shtoi se masa pritet të merren edhe në kuadër të fuqizimit të dinjitetit të pasaportës diplomatike shqiptare, e cila është vënë në pikëpyetje nga shumë vendase për shkak sesi është dhënë deri tani.

“Jemi në një proces reformimi edhe të pasaportës diplomatike dhe shumë shpejt do t’’ua komunikoj rezultatet e kësaj iniciative”, tha Cakaj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet