Cakaj takon Kurtin: 'Zbatim marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve'

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, që prej marrjes së detyrës. Gjatë vizitës në Prishtinë, në këtë moment shumë të rëndësishëm, sa i takon bashkëpunimit dypalësh mes shteteve tona, Cakaj zhvilloi një sërë takimesh me krerët më të lartë të Republikës së Kosovës.

Pas takimeve me homologun e tij, Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca dhe me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Cakaj zhvilloi një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë takimit, palët u dakordësuan për rëndësinë e vlerësimit të imtësishëm dhe vënies në zbatim të marrëveshjeve të arritura gjatë pesë G2G mes dy vendeve, si dhe rritjen e koordinimit mes institucioneve dhe qeverive të dy vendeve në funksion të forcimit të rolit të shqiptarëve në rajon dhe forcimit dhe promovimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Cakaj u takua edhe me Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani. Palët vlerësuan bashkëpunimin midis të dy Kuvendeve dhe komisioneve parlamentare në vite, si dhe shprehën angazhimin e qeverive për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar, si një shtysë për avancimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet