Rama flet për opinionin publik grek: interesat tona janë më të medha se debatet

Intervista e Kryeministrit Rama, për televizionin grek Skai

Zoti Kryeministër, faleminderit që ratë dakord për ta zhvilluar këtë intervistë.

Kryeministri Rama: Faleminderit që erdhët.

Më lini t’ju bëj një pyetje së pari. Si e shihni marrëdhënien e Shqipërisë me Greqinë në këtë pikë ?

Kryeministri Rama: Nëse e shohim në tablonë e madhe, është një marrëdhënie shumë e rëndësishme. Ka qënë e qartë, po ashtu, në strategjinë tonë për politikën e jashtme, që Greqia është partner strategjik, me të cilin ne kemi shumë gjëra për të ndarë së bashku dhe shumë gjëra për të arritur për një të ardhme më të mirë. Por, në të njëjtën kohë, duhet që hera-herës të zbresim te kjo tabloja më e vogël, që ka të bëjë me çështje të mbetura pezull dhe që në këndvështrimin tim kemi nevojë t’i zgjidhim me anë të dialogut, nëpërmjet bujarësisë e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe me bindjen e qartë se qoftë interesat e shqiptarëve, qoftë interesat e grekëve janë më të mëdha, sesa ato që mund të na bëjnë këto çështje, - që do të thotë, të na ndalojnë të ndërtojmë sëbashku një të ardhme më të shkëlqyer.

Më kujtohet një intervistë në vitin 2003, ju ishit kryetar bashkie asokohe dhe thatë diçka që më la mbresë. Ju thatë se problemi me vendet e tona të Ballkanit është se ka shumë histori. Më pas më kujtohet postimi që keni bërë në Facebook për një shqiptar që kishte shpëtuar Akropolin.

Kryeministri Rama: Nuk është e mrekullueshme ?! Nuk është e jashtëzakonshme ?! Nuk më besohej se çfarë zhurme krijoi kjo foto në Greqi. Ndërkohë që, ajo që unë bëj është thjesht të mbaj një kronikë me foto në faqen time të Facebook-ut, që në fakt postohet çdo ditë në orën 20:00 dhe që ka të bëjë me historinë. Por, e parë nga këndvështrimi i dikujt që nuk beson se politika ka të bëjë me zëvendësimin e historianëve, por beson që politika ka të bëjë me të bërit histori. Të njohim ngjarjet që kanë ndodhur në të shkuarën na ndihmon që të kuptojmë më mirë veten tonë në të ardhmen, kësisoj nuk kam ndryshuar. Në të kundërtën, mendoj se ky është një detaj që tregon shumë për mënyrën se si mund të humbasim në përkthim sepse ajo çfarë thashë ishte apo kishte për qëllim të ishte, jo vetëm miqësore, por gjithashtu edhe diçka që zbulonte për një marrëdhënie që në fakt shkon shumë pas në kohë. dhe që ka kaq shumë shembuj rrezatues të njerëzve që i njohim, të njerëzve që nuk i njohim, qoftë shqiptarë apo grekë, të cilët kanë bërë për njëri-tjetrin e për vendin gjëra shumë të mira. Megjithatë pavarësisht nëse është e saktë historikisht apo jo, duhet ta kishit ditur që kjo do të krijonte trazira apo zhurmë. Jo, të kundërtën. Fakti që shqiptarët kanë kontribuar për të mirën e Greqisë, e shoqërisë greke dhe fakti se shumë njerëz asokohe flisnin në gjuhën shqipe nuk e bënë Athinën një qytet shqiptar.

Më është thënë se duke qenë se kjo marrëveshje ka mbetur në këtë situatë, ju keni kërkuar informacion lidhur me një eksplorim që Greqia po bën në Jon. Është kështu ?

Kryeministri Rama: Po flasim për një zonë të kontestuar ku presupozohet se ka një burim të rëndësishëm nafte e gazi. E kam thënë gjithnjë, përse nuk e shohim si një mundësi të madhe për ta zgjidhur së bashku? Përse nuk ecim më tej në bashkëpunim në të gjitha fushat sepse mund të bëjmë kaq shumë sëbashku. Shqipëria mund të jetë një mundësi kaq fantastike për shumë investitorë grekë. Por, po ashtu Greqia mund të ketë kaq shumë avantazhe nga bashkëpunimi me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Kësisoj besoj se duhet të përqendrohemi tek një nocion, duhet të flasim e të zgjidhim gjërat me durim e me vullnet, sepse nuk ka shans që të parashikojmë një të ardhme tjetër përveçse një të ardhme bashkëpunuese me njëri-tjetrin.

Më lini t’ju pyes për Himarën, meqënëse e dini që ka pasur shumë debat edhe për të. E kuptoj programin e shembjes së të gjitha ngrehinave apo të ndërtesave të paligjshme në të gjithë vendin, por më duke shumë e çuditshme që në këtë zonë u shemb në 15 Gusht që për ne është një pushim fetar shumë i rëndësishëm. Ju e dini që flitet për minoritetin grek këtu që është pjesë e helenizimit të jugut.

Kryeministri Rama: Do t’ju jap fakte, më dëgjoni, ju sfidoj. Personalisht, apo si një grup mediatik të hetoni për këtë. Nëqoftëse më vërtetoni të kundërtën, jam gati të kërkoj një ndjesë të madhe publike. Jam angazhuar me qeverinë time në një program të quajtur Rilindja Urbane, një program i shkallës së madhe për rimëkëmbjen e qyteteve. Për shkak të këtij programi kemi shembur në mbarë vendin gjatë këtyre 3 viteve, 9150 ndërtesa, më së shumti ndërtesa të paligjshme e një pjesë të ligjshme, e në rastin e ndërtesave me leje kemi zbatuar të gjitha procedurat e shpronësimit në bazë të ligjeve shqiptare. Në Himarë është e njëjta gjë, i njëjti program. Kryetari i bashkisë kërkon të rilindë hapësirat publike. Pasi kemi bërë shëtitoren, tani ky është projekti i dytë i madh. Ka të bëjë me 18 ndërtesa, 12 prej të cilave janë pa leje, 6 prej të cilave janë me leje. Këto 6 ndërtesa po kalojnë përmes të njëjtës procedurë shpronësimi. Kur flasim për ndërtesa ju duhet të nënkuptoni se iu referohem kioskave lavazheve, ndoshta 1 apo 2 moteleve të vogla nëse nuk e gabim, 1 shtëpi ku jeton dikush, disa shtëpi të vjetra që janë tërësisht të shembura. Nqs se në këtë rast proçedura nuk është saktësisht e njëjta që ne kemi zbatuar në të gjithë vendin për 9150 ndërtesa që janë shembur, atëherë ju detyrohem një ndjesë.

Në Athinë kemi një perceptim të kundërt. Për shembull ju po i afroheni zgjedhjeve, ju duhen çamët për partnerë në koalicion e kështu me rradhë.

Kryeministri Rama: Nuk dua të luaj këtu të mirin që në fakt vjen në pozitë nga i keqi. Natyrisht edhe ne kemi pjesën tonë të përgjegjësive.

A jeni i shqetësuar që nëse niveli i bashkëbisedimit midis dy vendeve shkon mbi këtë nivel ? E ju e dini që Greqia ka qënë shumë bujare në 2014 për aplikimin tuaj për statusin e kandidatit. A mendoni se kjo do të bëjë debate ?

Kryeministri Rama: Kam përshtypjen se kjo është një pyetje që shumë njerëz ma drejtojnë sa i përket marrëdhënieve me Serbinë. E njerëzit kanë prirjen të mendojnë se përpjekjet tona dhe përpjekja ime personale për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi me Serbinë është një lloj bujarie. Është në interesin tonë. Pra nuk është bujari nga ana e palës greke për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në BE. Është në interesin grek gjithashtu. Natyrisht, nëse shkon mirë për ne, shkon mirë për serbët të cilët po ju shtrimë dorën e bashkëpunimit, por është në interesin tonë. Por çfarë do të bënim ne apo Greqia nëse ky vend do të shkonte keq e më keq e nuk do të ishte në rrugën drejt integrimit. Dhe a e dini diçka për Bashkimin Europian ? Sa më shumë të jesh brenda, aq më shumë duhet të jesh i përgjegjshëm, pra të japësh llogari. Që do të thotë, nëse ka probleme llogaridhëniesh, atëherë këto mund të zgjidhen më mirë nëse na keni brenda në BE. Kësisoj, mendoj që po, Greqia ka qënë një mik mjaft besnik i yni gjatë gjithë këtyre viteve. Ka mbështetur proçesin tonë të integrimit pavarësisht gjithçkaje dhe ka bërë saktësisht atë çfarë është në interesin e saj e duhet të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë sepse është e pakuptimtë që të mendosh se në vend që të zgjidhim çështjet tona, ne t’i çojmë në një nivel më sipër, e të bëhemi një arsye tjetër për ata në Bruksel që të thonë: “dreq o punë, këta njerëz thjesht prodhojnë histori”. Por ju besoj e dini veton greke, nuk mendoj se kjo është e mençur edhe për tu menduar. Veto për çfarë ? Është e pabesueshme. Ju thashë, nëse është veto për ndërtesat pa leje, çfarë do të thotë kjo ? Është veto sepse po flasim me vendosmëri për nevojën për të zgjidhur disa çështje ? Jemi në të drejtën tonë dhe mendoj se është në interesin tonë të përbashkët. Për çfarë është vetoja ?

Një gjë tjetër sepse jam kureshtar. E di që mamaja juaj është përkthyese shumë e mirë nga greqishtja, nuk e di n.q.s. ju flisni greqisht.

Kryeministri Rama: Unë nuk flas, mamaja ime pak, gjyshja ime shumë, edhe pse ato vijnë nga i vetmi fshat në radhën e zonës së Himarës që asnjëherë nuk kanë folur greqisht, por vëllai im flet. Kemi qënë në Greqi, e meqë ra fjala Greqia ka qënë toka e parë që kam vizituar si qytetar i lirë sepse kishim disa kushërinj nga ana e mamasë në Korfuz dhe kanë qënë atje që prej një kohe të gjatë, shqiptarë të cilët janë larguar në Vunoi shumë kohë më parë dhe për mua ishte e vështirë, por për vëllain tim ishte e lehtë sepse ai flet greqisht.

Faleminderit shumë zoti kryeministër !

Kryeministri Rama: Faleminderit !

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet