Dekriminalizimi: Komisioni ‘ad hoc’ mollë sherri në Parlament. Pse u lanë të kalonin afatet ligjore ?

Ligji që e vendos njëherë e përgjithmonë në shina, vendin, duket se do të votohet vetëm me votat e mazhorancës. PD kërkon 'komisionin ad hoc', Rama fton demokratet t'i çojnë propozimet

TIRANË - Dekriminalizimi, sipas ligjit Severino, kthehet në Kuvend. Deri këtu të gjithë bien dakord, por kur vjen puna për Komisionin e Posatçëm, opozita dhe mazhoranca kanë të vetat. Një ditë më parë Qeveria i dha ‘ok’ variantit të saj, më të kompletuar por në esencë të njëjtë me PDnë sipas Kryeministrit Edi Rama. Demokratët që e pranojnë këtë draft paralel me të sajin që nxjerr jashtë funksionit Komisionin e posatçëm, i konsideruar i "dështuar" nga mazhoranca.

Nuk mund të shkrihet një Komision i votëbesuar, thotë Berisha, por sipas ministres së shtetit për marëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj ky Komision kishte tejkaluar afatet ligjore të funksionimit të punës së tij. “Mbi bazën e rezolutës së dhjetorit doli vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit ad hoc. Në vendim thuhej shprehimisht se ky komision, brenda qershorit, do të prodhonte një produkt për Parlamentin. Kjo do të thotë se në Parlament sot duhet të kishim grafiqe që t’i diskutonim. Këtu ku kemi arritur është shkelur afati”, tha ministrja. Një arrogancë qeveritare kjo, sipas Oerd Bylykbashit.

Socialistët duan që opozita të paraqesë draftet e veta jo të Komisionit. "Nuk kam pritur që ju të jeni dakord për një produkt të përbashkët, por të paraqisni draftet e Partisë Demokratike, jo të Komisionit, por të PD-së, e drejta juaj kjo. Ku është problemi këtu. Ka një draft të PD, ka një nisëm të qeverisë që do i bashkëngjiten deputetët e shumicës, për ndryshimet kushtetese referuar këtij process dhe proces hyn më pas në rrugën e ballafaqimit të dokumentave… përqindja më e madhe e substancës është e njëjtë. Ju keni parashikuar 34 vepra, ne 78, por kjo për ju s‘besoj se është problem” tha Kryeministri Rama. Në këtë ligj përfshihen jo vetëm të zgjedhurit por dhe të emëruarit. “Çdo kush që merr rrogë nga taksat e buxhetit të qytetarëve duhet të verifikohet, nëse dikush është dënuar për ndonjë nga këto vepra, s’besoj se ka problem as kjo për ju” tha Kryeministri duke parë nga deputetët e PDsë.

Molla e sherrit mes mazhorancës e opozitës, Komisioni, dhe këtë herë duket se kishte të bënte më shumë me vullnetin e palëve që ky Komision të prodhojë ose jo, propozime konkrete. Pse u la të kalonin afatet ligjore ? Arsye, apo pretekste ? Apo me keq akoma, askush nuk e dinte ?

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet