Dekriminalizimi: PD propozon projektligjin në Komision. Pas tre muajve në Parlament

Të Henen mblidhet komisioni për dekriminalizimin. Bylykbashi: ''Edi Rama s'mund t'a bllokojë më proçesin''

TIRANË - Formalisht grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar në Parlament projektligjin për Dekriminalizimin. Të Henen takohen komisionerët për dekriminalizimin, me të cilit demokratët thonë se janë të hapur të diskutojnë, me kusht që të mos preket esenca e projektligjit. Gjithsesi projektligji i demokratëve nuk u arrit të kalonte në Kuvend në agjendën tre javore, por në atë dy mujore, për shkak se nuk pati konsens në takimin e konferencës së kryetarëve, tha dje kryeparlamentari Ilir Meta.

Personat me rekorde kriminale jashtë funksioneve publike: Janë 17 nene ku shpjegohet qartë se si dhe pse duhet të zhvishen organet e pushtetit publik nga krimi. Kjo do të bëhet nëpërmjet respektimit të kritereve për zgjedhjen (neni 2) dhe është ndër më të rëndësishmit, pasi mund të japë shpjegimin e një prej togfjalëshave më të përdorur kohët e fundit, "rekorde kriminale": Nuk mund të kandidojnë dhe as nuk mund të zgjidhen deputetë të Kuvendit, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo të anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me dy vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:

a) kryerjen e një krimi të parashikuar nga nenet 73, 74, 75, 78/a, 79, 79/a, 79/b dhe 79/c, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 110/a, 111, 114, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të rëndë, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal;

b) kryerjen e një vepre penale në fushën e korrupsionit të parashikuar në nenet 244, 245, 248, 259, 260 apo në fushën e zgjedhjeve të parashikuar në Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve” të Kodit Penal.

c) kryerjen e një krimi për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim.

ç) për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat”a”dhe “b” të kësaj pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.

Neni 3 parashikon kushtet për t’u emëruar në funksione publike. Për veprat penale të parashikuara në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet edhe në funksionet publike:

a) në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;

b) në postin e zëvendësministrit apo të njëvlerëshëm me të;

c) në postin e prefektit;

ç) funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetuese apo të krijuar me ligj

d) në Shërbimin Informativ Shtetëror;

dh) në shërbimin civil;

Nisma ligjore e demokratëve përcakton dhe periudhën e ndalimit të kandidimit, ndërsa Neni 10 parashikon veprimet e KQZsë në rastet kur verifikohen kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje, ndërsa neni 13 përfshin verifikimin e kushteve për mosushtrim të funksionit publik të emëruar.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet