Dita Kombëtare e Drejtësisë/ Meta: Çdo qytetar meriton gjyqësor të pavarur

Presidenti Ilir Meta reagoi në “Facebook” në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë. Ai kërkoi që të ketë një reflektim për mënyrën sesi funksionon sistemi i drejtësisë në vendin tonë.

“Sot kujtojmë Ditën Kombëtare të Drejtësisë, me këto rreshta të parathënies së “Kanonit të Zhurisë”, të miratuar nga qeveria e Ismail Qemalit në 10 Maj 1913. Ky ishte akti i parë pas shpalljes së Pavarësisë që përcaktoi organizimin dhe funksionimin e gjykatave në sistemin gjyqësor shqiptar. Thjeshtësia, qartësia dhe pavarësisa që garantohej në atë akt të parë për organizimin e gjykatave, sot, në këtë ditë të shënuar të drejtësisë shqiptare, duhet të na bëjë të reflektojmë me forcë mbi rëndësinë që ka funksionimi i plotë, i pandërprerë, i pavarur dhe i paanshëm i gjithë sistemit të drejtësisë në Shqipëri.”

Sipas tij, kjo ditë nuk mund të quhet e plotë përsa kohë nuk kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese. Për këtë arsye, Meta apeloi që të mbrohet me forcë gjyqësori i pavarur që edhe qytetarët të marrin atë që u takon.

“Sot, kur mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese po pamundëson mekanizmin kryesor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, 10 Maji i Ditës së Drejtësisë nuk është i plotë. Sot, 107 vjet pas “Kanonit të Zhurisë”, duhet të vazhdojmë të mbrojmë edhe me më shumë forcë dhe vullnet, parimet kushtetuese për një gjyqësor të pavarur dhe funksional që meriton secili qytetar, nën frymën e Kushtetutës së miratuar prej tyre me referendum që prej datës 22 Nëntor 1998.” Kreu i shtetit uroi edhe Komisionin e Venecias që sot festoon 30-vjetorin e krijimit të tij.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet