Eliminimi i hapësirave që ushqejnë terrorizmin, Cakaj në New York

Ministri shqiptar në detyre Gent Cakaj ndodhet në New York në një mbledhje të nivelit të lartë të organizuar nga Franca, mbi përpjekjet ndërkombëtare për vënien në zbatim të Strategjisë globale të OKBsë kundër veprimeve terroriste. “Pavarësisht fitores ushtarake dhe territoriale mbi ISIL, një sfidë tjetër mbetet angazhimi i përbashkët për të zhbërë hapësirën e mundshme të narrativave që nxisin veprimet ekstremiste dhe të dhunshme. Kjo kërkon një bashkërendim më të gjerë përpjekjesh të kompanive teknologjike, shoqërisë civile, bashkësive fetare e qeverive të vendeve përkatëse, mes tjerash”, tha Cakaj për këtë takim.

“Shqipëria ka qenë historikisht një vend shembull i harmonisë ndër-fetare dhe ka prirë në shumë angazhime luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm nëpërmes mekanizmave të saj të sigurisë. Për më shumë, Shqipëria dallohet në rajon e më gjerë edhe për zhvillimin e kurikulave të veçanta shkollore që kanë për qëllim zhbërjen e interpretimeve të shtrembëruara të doktrinave të ndryshme fetare. Së këndejmi, angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është në përputhje me sfidat bashkëkohore dhe në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë”, theksoi Cakaj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet