Fillojnë proçedurat për shkarkimin e Presidentit Meta

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi sot se “me mbështetjen e firmave të 55 deputetëve të Kuvendit që përbëjnë më shumë se ¼ e deputetëve të Kuvendit, sapo kemi depozituar kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta”.

“Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave të dhëna nga Kushtetuta ka nxjerrë dekretin për caktimin e zgjedhjeve vendore në 30 qershor 2019. Në përmbushje të këtij përcaktimi kanë filluar procedurat për mbajtjen brenda afateve ligjore të procesit zgjedhor. Janë ngritur KZAZ-t. Janë shpallur listat e zgjedhësve. Është kryer regjistrimi i partive politike. Janë depozituar listat e kandidatëve. Ka filluar fushata zgjedhore”, tha Balla në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit.

Ndërkohë që ka filluar fushata zgjedhore, theksoi Balla, “Presidenti ka lëshuar dekretin për shfuqizimin e dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor 2019 duke e anuluar këtë datë”.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PS, “arsyet e dhëna nga presidenti kanë të bëjnë me shqetësimin e thellë mbi situatën politike në vend. Nevojën e çtensionimit të situatës në vend. Bindjen se kjo vendimmarrje është mënyra e vetme për të rregulluar krizën ku ndodhet vendi”.

“Në lidhje me shkeljet e Kushtetutës, dekreti i vitit 2019 vjen në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një Republike parlamentare dhe të kompetencave të Presidentit. Është cenuar rëndë parimi i ushtrimit të sovranitet nga populli sipas Kushtetutës. Populli e ushtron këtë sovranitet. Si pasojë e kësaj vendimmarrje, popullit i është hequr e drejta e sovranit për një ushtrim të tillë. Anulimi i datës së zgjedhjeve dhe për më tepër moscaktimi i një date tjetër është cenim i të drejtës së sovranit”, tha Balla.

“Kjo vendimmarrje zhbën autoritetin e sovranit duke i hequr me një akt administrativ të drejtën për të qenë sovran. Sovrani ka miratuar Kushtetutën dhe ka përcaktuar se Kuvendi zgjidhet një here në 4 vjet. Edhe njësitë bazë të qeverisjes vendore janë këshillat që zgjidhen çdo 4 vjet. Presidenti po sillet në pozitën e një pushteti absolut. Ne vlerësojmë se Presidenti ka marrë tagrat e autoritetit të sovranit të Kuvendit”, u shpreh Balla.

“Presidenti me dekret ka zgjatur mandatin e pushtetit vendor. Mandati i të qeverisursve vendorë është 4 vjeçar me dekretin e Presidentit ku mandat zgjat dhe presidenti i ka njohur vetes atributet e ligjvënësit”, tha Balla.

“Presidenti ka përcaktuar një datë tej datës së përcaktuar me ligj. Presidenti ka vendosur një datë tej atyre të njohura nga ligji. Caktimi i datës lidhet me mbarimin e mandatit të të zgjedhurve aktualë. Ka marrë atribute të kuvendit e sovranit. Autoriteti i vetëm është vetëm trupa legjislative. Dhe në këtë rast presidenti ka marrë atribute të paligjshëm. Është një rast i pa ndodhur ndonjëherë. Presidenti referon situatën 2007. Theksojmë se kjo situatë është e kundërta e këtij procesi. Vlerësojmë se presidenti po sillet si autoritet mbi Kushtetutën e mbi sovranin”, u shpreh Balla.

“Presidenti ka anuluar datën e zgjedhjeve, Kushtetuta nuk ia njeh këtë drejtë. Ka për detyrë të caktojë datën e s’ka alternativë për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve”, theksoi Balla.

“Presidenti ka cenuar rëndë parimin e periodicitetit të zgjedhjeve. Nëse do të zbatohet dekreti i presidenti, automatikisht kemi të bëjmë me cenim të këtij parimi”, tha Balla.

“Zoti Ilir Meta, e ka humbur të drejtën të qëndroje në atë zyrë me pëlqimin tonë. Natyrisht që ne, socialistët, nuk i përkasim kulturës politike të arbitraritetit dhe dhunimit të ligjit dhe do të ndjekim rigorozisht procedurën e parashikuar në rastin e shkarkimit Presidentit. Përpara se sa t’i shkojë për votim Kuvendit, shkarkimi i zotit Ilir Meta nga detyra, do të vlerësohet nga një Komision i Posaçëm Hetimor. Është e qartë që votimi i Kuvendit, në rast se propozimi për shkarkimin do të marre 2/3 e votave te deputeteve, pra 94 vota e lart, do t’i shkojë për vlerësim Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Balla shtoi se “Gjykata Kushtetuese ka përgjëgjësinë të thotë fjalën e fundit për shkarkimin e kreut të shtetit, pasi bën vlerësimin e arsyeve që e kanë detyruar Kuvendin të hedhë një hap kaq të jashtëzakonshëm.

“Me këtë rast, i rikujtojmë zotit Ilir Meta kërkesën e bërë nga Kuvendi në drejtim të tij, përmes Rezolutës së miratuar javën e shkuar, lidhur me nevojën e reflektimit në funksion të detyrës së larte dhe të respektimit të Kushtetutës. Kemi vënë re me keqardhje se ai nuk ka reflektuar, po ka sulmuar Kuvendin me një gjuhë të padenjë dhe të papranueshme për institucionin e lartë që Presidenti përfaqëson”, deklaroi Balla.

“Kuvendi natyrisht nuk intimidohet dot kurrësesi nga askush, por i kujton zotit Ilir Meta se as ai, as ata që e braktisën Kuvendin duke djegur mandatet dhe pastaj tentuan ta djegin me flakadanët e dëshpërimit të tyre, s’kanë asgjë tjetër në dore përveç nivelit të dinjitetit të tyre. Për sa kohë është ende President, zoti Ilir Meta duhet të mos na turpërojë të gjithëve, duke e ulur nivelin e presidencës së tij nën kufirin minimal të etikës shtetërore, sa herë hap gojën”, përfundoi Balla.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet