Fleckenstein: kërkoj fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë

Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein deklaroi sot në takimin e Komisionit të Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-BE, që u zhvillua në Parlamentin Europian, në Bruksel, se kërkonte fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë.

”Është një mesazh i qartë për Këshillin dhe Komisionin që ne kemi rënë dakord me Komisionin dhe ne kërkojmë vërtet të shikojmë fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë verën e ardhshme”, deklaroi Fleckenstein.

”Së dyti, ne biem dakord që shumë përmirësime janë bërë veçanërisht në reformën në drejtësi dhe pesë reformat kyçe, ndonëse të gjithë gjithashtu e dimë se shumë mbetet ende për t’u bërë”, theksoi ai.

”Natyrisht janë bërë përmirësime në fakt për sa i takon luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, në zbatimin e të drejtave mbi pronën, që janë vetëm disa prej shembujve, por sërish ka ende shumë për të bërë dhe të gjithë në Shqipëri e dinë këtë”, tha Fleckenstein.

”Kështu që unë jam i lumtur para së gjithash që 80 për qind e Parlamentit, që do të thotë e majta, socialdemokratët, të Gjelbrit, liberalët, Partia Popullore Europiane (PPE), madje edhe një pjesë e vogël e konservatorëve dhe reformistëve të ECR-së, ose një shumicë e qartë votuan për këtë raport dhe ambicien e Shqipërisë”, theksoi ai.

”Vetëm ata të cilëve nuk u pëlqejnë të hyjnë në BE ose ata që kërkojnë të largohen nga BE-ja ishin kundër raportit, si dhe disa kolegë kanë pasur gjithmonë probleme të veçanta me këtë. Doja ta theksoja këtë, pasi kjo tregon disi se ekziston mundësia që lidhur me çështje shumë të rëndësishme të kemi një opinion të përbashkët, pavarësisht se po e luftojmë vazhdimisht njëri-tjetrin në Parlament”, tha Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. /Ata/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet