Fondet europiane, Gjosha niset për në Rumani: ''evitojmë gabime që mund të jenë bërë'' Task - Force e përbashkët

Ministrja shqiptare e integrimit takon Ministrin e rumanisë për fondet europiane. Keshillat, për përthithjen e fondeve nga BE, janë të domosdoshme projektet e planifikuara dhe të hartuara sipas sektorëve të cak

BUKURESHT - Ministrja e Integrimit Europian Klajda Gjosha ka filluar një vizitë dy ditore në Rumani për marrjen e eksperiencave dhe praktikave më të mira që Rumania ka ndjekur gjatë proçesit të integrimit në Bashkimin Europian. Takimin e parë Ministrja Gjosha e zhvilloi me Ministrin e Fondeve Europiane, Marius Nica. Duke folur për hapat përpara që Shqipëria po hedh me proçesin e integrimit, Gjosha, u shpreh se leksionet e mësuara nga vendet që kanë kaluar më herët këtë proçes, janë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë. "Duke marrë eksperiencën më të mirë nga partnerët tanë, ne do të mundemi të avancojmë më lehtësisht me procesin, pasi kështu do të mësojmë dhe do të evitojmë gabime që mund të jenë bërë. Për ne shkëmbimi i ekspertizës ka një rëndësi të veçantë ndaj edhe krijimi Task - Force të përbashkët për të cilën është rënë dakord mes Kryeministrit shqiptar dhe atij rumun, do të kishte vlerë të madhe” tha Ministrja. Bashkëbiseduesit u ndalën në rëndësinë që ka ngritja e strukturave, por edhe kapacitetet njerëzore, për përthithjen e sa më shumë fondeve nga BEja. 'Ju nuk duhet të bëni të njëjtat gabime që ka bërë Rumania. Për përthithjen e fondeve nga Bashkimi Europian, është e domosdoshme që të keni projekte të planifikuara dhe të hartuar sipas sektorëve të caktuar, për të mos humbur kohë. Kjo është një këshillë që ne ju japim, pasi përthithja e fondeve në faza të ndryshme të proçesit të integrimit është e vështirë” tha Ministri Nica. Ministri gjithashtu u shpreh se administrata publike duhet të jetë e përgatitur për proçesin, veçanërisht punonjësit që merren në mënyrë të drejtëpërdrejtë me të. "Rumania rriti ndjeshëm pagat për të gjithë ata punonjës të cilët u përfshinë në procesin e negociatave dhe vazhdimësinë e procesit të integrimit. Është shumë e rëndësishme mbështetja financiare e tyre, pasi kështu ju mund të keni ekspertët më të mirë të fushës” tha Ministri rumun.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet