Gati p/ligji për dekriminalizimin. Shqiptarët meritojnë një pushtet publik të pastër dhe të denjë

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, doli në një deklaratë për mediat pas dorëzimit të projektligjit në Kuvend

TIRANË - Partia Demokratike ka dorezuar sot në Kuvendin e Shqiperisë projekt-ligjin për dekriminalizimin.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, doli në një deklaratë për mediat pas dorëzimit të projektligjit në Kuvend, ku deklaroi se “ai i hap rrugën largimit të menjëhershëm të kriminelëve nga parlamenti, pushteti vendor dhe çdo funksion publik dhe ndalon kandidimin e tyre në të ardhmen”.

“Ky veprim konkretizon aksionin dyvjeçar moral dhe politik te Partisë Demokratike kundër penetrimit dhe kapjes së shtetit nga krimi në marreveshje me krerët e kësaj mazhorance. P/ligji që depozituam në Kuvend është në përputhje me modelet më të mira europiane dhe botërore, si dhe standardet e vendosura nga Gjykata e Të ‎Drejtave të Njeriut e Strasburgut dhe Komisioni i Venecias. Nisma e sotme legjislative është përgjigje për zvarritjen dhe bllokimin e qëllimshëm të procesit dhe komisionit të dekriminalizimit‎ nga mazhoranca, në shkelje të hapur të marrëveshjes së 24 dhjetorit, e arritur me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian”, tha Bylykbashi.

Ai theksoi se “Vullneti i opozitës për dekriminalizim nuk mund të ndalet nga mungesa e vullnetit e Ramës dhe Metës. Qytetarët shqiptarë nuk mund të mbajnë në kurriz njollën e turpit që i ka vënë pakti i kësaj mazhorance me krimin. Shqiptarët meritojnë një pushtet publik të pastër dhe të denjë. Eshtë koha për Kuvendin ta votojë këte p/ligj pa asnjë vonesë dhe pretekst dhe t’ia heqë njollën e turpit shqiptarëve”.

Në fund të korrikut, Partia Demokratike bëri publike platformën e saj për dekriminalizimin, që bazohet në raportin e Komisionit të Venecias dhe mbi një proces të ngjashëm të ndodhur në Itali kundër mafias, i njohur si ligji “Severino”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet