Gjiknuri shfajësohet, KLSH e ka me qeverinë tonë

Sipas Gjiknurit, opozita po hedh baltë edhe mbi institucionet financiare ndërkombëtare palë në negociatat me palën çeke, ndërsa siguroi se negociatat kanë qenë transparente

TIRANE - Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi të enjten se raporti i publikuar nga KLSH një ditë më parë është një fletë-rrufe politike, me synimin e qartë për të goditur qeverinë shqiptare. Duke marrë fjalën në Kuvend, ministri Gjiknuri tha se raporti i KLSH-se nuk ka as elementët bazë të ekzistencës së një kallëzimi penal dhe del përtej kompetencave të veta, duke audituar edhe mënyrën e diskutimit të negociatave. Sipas Gjiknurit, opozita po hedh baltë edhe mbi institucionet financiare ndërkombëtare palë në negociatat me palën çeke, ndërsa siguroi se negociatat kanë qenë transparente. KLSH, tha Gjiknuri, le të citojë qoftë edhe një ligj të shkelur nga grupi negociator. Kreu i MEI-t akuzoi kreun e KLSH-së se raportin e ka hartuar në bashkëpunim me opozitën. Sipas tij, opozita kërkon t’i faturojë atij borxhin e krijuar prej saj. “Të gjitha ato vlera që janë krijuar nga keqmenaxhimi i atij sektori doni t’ja faturoni zgjidhjes më të mirë të mundshme të bërë nëpërmjet marrëveshjes me mirëkuptim. Qeveria sovrane është sovrane dhe nuk ka shkelur asnjë rregull sic edhe në raportin e KLSH-së nuk përmendet asnjë ligj, apo rregullore e shkelur për procesin e negociimit”, u shpreh Gjiknuri. Sipas tij, kjo është një përpjekje e opozitës për të mbuluar zullumin e shkaktuar prej saj. Për këtë, tha ai, edhe në raportin e KLSH-së fshihen me dashje disa fakte.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet