Gjosha kërkon ekspertë antikorrupsioni: pa vullnet, nuk funksionon - thonë rumunët

Ministrja e integrimit diskuton çeshtjet e korrupsionit dhe integrimit në Bukuresht. Mbështetje në nivel ekspertësh, por shqipërisë i mungon vullneti politik

TIRANË - Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha në përfundim të vizitës dyditore në Bukuresht, mori mbështetjen e zyrtarëve rumunë për të ofruar asistencë në nivel ekspertësh për proçesin e integrimit të Shqipërisë. Në takimin me kryetaren e komisionit parlamentar të Integrimit të Rumanisë, Anca Boagiu, Gjosha tha se: "përfshirja e gjithë aktorëve në këtë proçes ka qenë kryefjala jonë". "Strukturat parlamentare që merren direkt me proçesin e integrimit kanë një rëndësi kyçe sa i përket nismave legjislative, por nga ana tjetër për një vend aspirant si Shqipëria - tha ajo - është i domosdoshëm zbatimi i këtyre ligjeve dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës". Ministrja Gjosha, gjatë takimit me prokuroren e përgjithshme të drejtorisë Kombëtare Antikorrupsion në Rumani, Laura Codruţa Kovesi, vlerësoi ekspertizën rumune në luftën kundër korrupsionit. Kryeprokurorja Kovesi u shpreh e gatshme për të ndihmuar me ekspertizën e nevojshme në këtë fushë, apo gjithçka tjetër për të cilën Shqipëria ka nevojë. “Lufta ndaj korrupsionit veçanërisht në nivel të lartë zyrtarësh, kërkon legjislacion të mirë dhe një vullnet të fortë për t’i shkuar deri në fund hetimeve” kujton Prokurorja. Kovesi u shpreh se pavarësia e sistemit gjyqësor është thelbësore për të pasur rezultate, të cilat sigurisht që duan kohë dhe burime njerëzore të kualifikuara. Gjosha nënvizoi se vazhdimësia e proçesit të integrimit të Shqipërisë lidhet ngushtësisht me reformën në drejtësi, ndaj dhe bashkëpunimi me rumaninë vlerësohet nga Shqipëria.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

1 Komentet

  1. tiku  e Enjte 1 Tetor, 2015

    haha keta kerkojne eksperte po kur vijne ketu nuk i merr kush per baze