Hajdari: Meta i ka kaluar kompetencat

Deputetja Rudina Hajdari ka theksur sot se presidenti Meta e di që e ka shkelur Kushtetutën dhe që i ka kaluar kompetencat e Presidentit.

Në një intervistë televizive ajo u pyet nëse do të votonte shkarkimin e Presidentit. Por Hajdari u përgjigj se në seancën e së enjtes nuk do të ketë një mocion për shkarkim, por për debat.

Më tej, Hajdari theksoi se edhe grupi parlamentar që ajo drejton ka mundësinë për propozimin e shkarkimit të presidentit, por shton se çështja nuk është kjo.

“Unë shikoj se Presidenti nuk është i fiksuar nga kjo gjë. Madje, unë shoh një taktikë politike, gati në viktimizim. ‘Dëgjoni se unë po shkarkohem se po bëj një akt për Shqipërinë dhe të tjera. Unë mendoj se duhet t’i ulim këto lloj tonesh dhe të mos bëjmë populizëm. Ne mund ta propozojmë edhe vetë shkarkimin e Metës, i kemi 35 deputetë. Çështja nuk është do të votojmë apo jo, ne do ta shohim çështjen hap pas hapi. Unë besoj se edhe vetë zoti Meta e di që ka shkelur Kushtetutën. Ai e di shumë mirë që i ka shkelur kompetencat e tij. Presidenti është në një situatë shumë të vështirë. Unë do të doja që Presidenti të kishte pasur më shumë përpjekje, thirrje konkrete, për Gjykatën Kushtetuese, reformën zgjedhore dhe datën, të cilën ka për detyrë ta caktojë”, tha Rudina Hajdari.

Për Hajdarin, Presidenti Meta duhet të kishte diskutuar me palët politike në vend para se të merrte vendimin për anulimin e 30 qershorit si data e zgjedhjeve.

“Nuk kam parë te Presidenti një përpjekje për të pasur një dialogim mes palëve. Ai thotë se e bën këtë për të unifikuar popullin, por ai duhet të kishte pasur disa përpjekje paraprake, duhet të kishte dialoguar”, tha Hajdari.

Rudina Hajdari theksoi se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje me këtë sistem zgjedhor dhe Presidenti duhet të përfshihet për një tjetër sistem dhe nuk mund të anashkalojë këtë gjë.

“Presidenti duhet të kishte përfshirë edhe faktin që vendi ka nevojë për një reformë zgjedhje. Nëse ne flasim për të pasur zgjedhje, atëherë si do të sigurohemi që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Fakti që nuk përfshihet, tregon se ka një anashkalim të rolit të Parlamentit, të rolit të opozitës. Këtë gjë, Presidenti duhet ta shohë me vëmendje. Presidenti duhet tí thotë Parlamentit që të merret me reformën zgjedhore. Të rishikohet sistemi aktual, pasi ndoshta ka sjellë këtë krizë. Nuk duhet të hedhim topin dhe të mos bëjmë asgjë tjetër”.

Sa i përket deklaratave të ndërkombëtarëve në lidhje me krizën në vendin tonë, Hajdari u shpreh se deklaratat e tyre përdoren nga partitë në vend dhe kjo e thellon edhe më tej krizën. Deputetja thekson se kriza duhet të zgjidhet nga vetë ne.

“Po luhet shumë me pozicionin e ndërkombëtarëve. PS mundohet të marrë ndërkombëtarët që mbështesin qëndrimin e tyre dhe e kundërta. Përdorimi i deklaratave të ndërkombëtarëve e thellon më shumë krizën. Këtu jemi në një situatë krize dhe nuk mund të themi që njëra palë ka më shumë apo më pak të drejtë. Unë mendoj se ne duhet ta zgjidhim vetë këtë situatë”, u shpreh Rudina Hajdari.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet