Agim Ciraku, ish-drejtor në Policinë e Shtetit

Intervista: Agim Ciraku, Shqipëria më afër se kurrë Bashkimit Europian

Ish drejtori i Policisë së Shtetit Agim Ciraku gjatë një interviste për Hermesnews komenton proçesin e vettingut, reformave dhe luftën kundër krimit të organizuar në vend.

Çfarë ka ndryshuar në Policinë e Shtetit në aspektin akademik?

Shkolla e Policisë para viteve 1990 ka qenë një qendër arsimore profesionale shumë e mirë, për arsye se prej saj dilnin oficerë policie të përgatitur mirë nga ana profesionale dhe juridike. Në programin e Shkollës së Policisë rreth 30 % e lëndëve mësimore ishin nga Fakulteti Juridik. Kjo mundësonte që kur oficeri i policisë dilte në terren, ai ishte i përgatitur në dy shtyllat bazë që ka policia, anën profesionale dhe atë juridike. Kjo eksperiencë vazhdoi deri në vitin 2004. Pikërisht në vitin 2004 dhe deri në vitin 2014, kjo shkolle e la përgatitjen e vet akademike (më parë nevojiteshin 3 vjet shkolle për t’u diplomuar oficer policie) dhe u kthye në qendër të formimit policor, ku përgatitja e kandidatëve që vinin nga jeta civile për t’u bërë oficerë ishte 6 muaj. Gjithashtu, vetë trupa policore që ishte në shërbimin aktiv do të ndiqte një kurs 6-javor dhe me këtë përgatitje quhej e mjaftueshme për të marrë rolin bazë të oficerit, që ishte grada nënkomisar. Më vonë, gjatë punës të tij me kurse të vazhdueshme, oficeri i policisë do të merrte edhe grada të tjera të shërbimit. Në vlerësimin tim, mënyra e re e ndjekur pas vitit 2004 ishte e pamjaftueshme për të përgatitur një oficer policie, i cili duhej të zotëronte të dy shtyllat bazë, profesionale dhe juridike. Për këtë arsye, kjo ishte periudha kur Ministria e Rendit nxori kuadro më pak të përgatitur dhe jo të aftë për të përballuar sfidat e përditshme të punës. Gjëja e mirë e viteve të fundit të Ministrisë së Brendshme ishte korrigjimi i këtij defekti të madh në përgatitjen profesionale të oficerëve të policisë, pasi prej vitit 2014 e në vazhdim Shkolla e Policisë u kthye në Akademinë e Policisë. Me këtë veprim, popullit shqiptar i është bërë një shërbim shumë i madh, duke përgatitur kuadro policie me kulturë e edukatë profesionale shumë të mirë për të shërbyer me dinjitet në rradhët e Policisë së Shtetit.

Si e vlerësoni luftën kundër krimit të organizuar në vend?

Krimi i organizuar në këto vitet e fundit, përveç periudhës kur ka qenë ministër Fatmir Xhafaj, ka qenë në kulmin e lulëzimit të tij. Krimi i organizuar, përveç veprimtarisë së vet kriminale, hyri dhe në veprimtaritë politike dhe ekonomike të vendit. Nga ana ekonomike, krimi i organizuar në kohën e ministrit Saimir Tahiri u fuqizua shumë. Veprimtaria e tyre në këtë fushë ishte pa kufij. Ata kishin shokë e miq në radhët e larta të Policisë së Shtetit dhe në këto kushte policia ishte e paafte ta luftonte krimin. Në disa raste, kjo polici ishte dhe vetë palë me krimin e organizuar dhe si rrjedhojë të ardhurat financiare të krimit të organizuar ishin në shifra marramendëse. Droga filloi të kultivohej, jo vetëm në Lazarat dhe në zonat e thella të Shqipërisë, por në mes të ditës dhe në zona fushore me mjete të mekanizuara dhe me vaditje normale. Për rrjedhojë, eksponentë të veçantë të krimit u kthyen në persona me të ardhura miliona dollarëshe. Në këtë kuadër, siç ndodh rëndom me krimin e organizuar pas fuqizimit nga ana ekonomike, ata gjithmonë synojnë të përfshihen në politike dhe këtë gjë, për mendimin tim, ata e arritën. Në Parlamentin ku shumica ishte e Partisë Socialiste, gati 30 % e deputetëve ishin të inkriminuar me mënyra nga më të ndryshmet dhe kësisoj ai Parlament nuk kishte asnjë mundësi të luftonte krimin, pasi ishte ishte vetë pjesë e ingranazhit të krimit. Shembujt nga Parlamenti i mandatit të parë të Partisë Socialiste në pushtet janë të shumtë, ku mjaft deputetëve u është hequr imuniteti apo mandati dhe janë marrë në përgjegjësi penale e janë arrestuar. Në mandatin e dytë të Partisë Socialiste dhe me ardhjen në drejtim të Ministrisë së Brendshme të Fatmir Xhafës, mund të themi që në atë ministri ka filluar të fryjë një erë e re. Policia është mbi baza më të shëndosha profesionale dhe për rrjedhojë, rezultatet janë më të mira në luftën kundër krimit të organizuar, ku janë goditur shumë grupe kriminale dhe shumë individë të bandave të ndryshme. Kësisoj veprimtaria kriminale e këtyre grupeve është në rënie dhe influenca e tyre është më e pakët. Kjo ka ardhur si pasojë e punës së mirë të Ministrisë së Brendshme edhe në bllokimin dhe sekuestrimin e aseteve të grupeve kriminale. Nëse krimit i hiqet fuqia financiare këtyre grupeve u bie dhe fuqia kriminale, ndaj puna e policisë së shtetit nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Ardi Veliu dhe me politikat e ministrit Fatmir Xhafaj, mund të themi se është në rrugë të mbarë në luftën kundër grupeve kriminale dhe krimit të organizuar.

Sipas jush sa kohë do të marrë proçesi i vettingut?

“Vettingu në polici, nga vetë fjala, është proçes. Si çdo proçes, ai zgjat dhe kërkon kohën e vet që të realizohet sa më i mirë dhe i pagabueshëm. Them kështu, për arsye se ai duhet bërë i thellë dhe të largojë nga radhët e policisë të gjithë ata që janë të inkriminuar, por nga ana tjetër, duhet bërë i kujdesshëm që në këtë mori të madhe kërkesash dhe kontrollesh mos të bëhen gabime dhe të largohen policë, të cilët i kanë dhënë asaj ministrie dhe këtij populli. Gabime të kësaj natyre është shumë vështirë t’i korrigjosh, që këta oficerë të liruar gabim të rikthehen sërish në radhët e policisë, prandaj ky proces duhet të zgjasë në kohë dhe në sitën e komisioneve të kontrollit të vettingut të mos lejohet të kalojë asnjë polic që ka abuzuar me detyrën.

Megjithatë ekziston rreziku që ky proces të gabojë në veprimtarinë e tij për arsye se, së pari, personat, të cilët do të zgjidhen në këto komisione duhet të jenë me integritet të lartë profesional, që gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre të jenë sa më konçiz dhe të saktë në vlerësimet që duhet t’i bëjnë trupës së policisë, sepse vendimet e tyre janë afërsisht si vendimet e gjykatës dhe do të jenë shumë vështirë për t’u korrigjuar. Së dyti, e përmenda edhe më lart, vettingu në polici kërkon kohën e vet. Nëse ne nuk ia japim këtë kohë, i nxitojmë dhe i orientojmë këto grupe kontrolli për ta bërë sa më shpejt këtë vetting, këtu do të gabojmë, sepse do të merren vendime të nxituara dhe subjektive. E dimë shumë mirë se vendimet që do të merren duhen të jenë objektive. Ai që ka shkelur ligjin duhet të largohet nga policia dhe ai që ka punuar mirë dhe nuk ka abuzuar me detyrën të vazhdojë punën në radhët e saj.

Çfarë mund të garantojë suksesin e tij?

Suksesi i këtij proçesi është kur të plotësohen dy kushtet: koha e nevojshme dhe integriteti i lartë profesional i grupeve të kontrollit.

A është Shqipëria në prag të integrimit të madh në familjen e madhe europiane. Sipas jush si po shkon proçesi i reformave?

“Vitin e fundit Shqipëria ka ecur përpara në pesë prioritetet që ka lënë Bashkimi Europian, që janë reforma në administratën publike, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Lufta kundër krimit të organizuar ka njohur hapa të rëndësishëm përpara me operacionin “Forca e Ligjit” dhe nisjen pas pak javësh të procesit të vettingut. Ndërkohë, lufta kundër korrupsionit ka dhënë shenja premtuese, sepse ka pasur së fundmi arrestime zyrtarëve të lartë të administratës publike, të cilët kanë abuzuar me detyrën. Megjithatë duhet bërë akoma më tepër në këtë drejtim, sepse “peshqit e mëdhenj”, ashtu siç ka orientuar ambasadori amerikan në Shqipëri, janë duke notuar akoma në ujëra të qeta dhe janë të pashqetësuar sot e kësaj dite. Kështu që në këtë drejtim, Ministrisë së Brendshme dhe prokurorisë u del për detyrë të punojnë më shumë për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të zyrtarëve të administratës publike. Besoj se ka shumë zyrtarë, si deputetë, ashtu dhe ministra, të cilët kanë abuzuar me detyrat shtetërore. Reforma në drejtësi është një nga detyrat dhe kërkesat më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, gjë për të cilën qeveria, me gjithë peripecitë dhe vonesat e veta, ia ka arritur qëllimit. Rezultatet e kësaj reforme kanë filluar të gjejnë zbatim, sepse janë larguar shumë prokurorë dhe gjykatës, të cilët kanë qenë të pasigurtë për të qëndruar në detyrë në shkelje të ligjeve të shtetit. Gjithashtu dhe kontrolli konkret i gjykatësve që ka filluar, ka bërë që nga radhët e sistemit të drejtësisë të largohen 2 gjyqtarë, për të cilët komisioni i vettingut ka vlerësuar se pasuritë e tyre janë të pajustifikuara. Një tjetër kërkesë e Bashkimit Europian, që është forcimi i të drejtave të njeritu, ka patur avancim në përgjithësi, duke patur parasysh trajtimin e të përndjekurve politikë, çështjet e pronës e të pronarëve dhe të drejtat e liritë e shtresave të ndryshme të shoqërisë siç janë romët dhe komuniteti LGBT. Së fundmi reforma administrative përbën një detyrë të realizuar, sepse ndarja e Shqipërisë në 61 njësi administrative është një rezultat shumë i mirë, sepse ul shumë shpenzimet administrative në rang kombëtar dhe e bën drejtimin më efiçent, duke patur shumë më pak njësi administrative. Në të njëjtën kohë, qeveria po bën përpjekje për të përmirësuar edhe performancën e administratës publike, duke forcuar profesionalizmin dhe depolitizimin. Duhet pranuar se kjo mbetet një sfidë aspak e lehtë në realitetin politik, ekonomik e social në Shqipëri. Duke e vlerësuar pozitive ecurinë e këtyre rekomandimeve të Bashkimit Europian kam mendimin se Shqiperia është pranë pranimit të kërkesës për fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

3 Komentet

  1. Iliri  e Enjte 17 Maj, 2018

    Po aq te pregatitur ishin policet ne kohen e qoflargut sa 70 % e barcaletave ishin me polic ..lol

  2. artan mali  e Mërkurë 18 Prill, 2018

    e vertete eshte, ai eshte nje personazh shume i ekuilibruar ne ate cfare thote. Nje bravo!

  3. Erjon  e Martë 17 Prill, 2018

    Gjithmone i sakte dhe i akorduar me aktualitetin ne intervistat qe jep zoti Çiraku. Te tille njerez me kete bagazh duhen vendosur ne krye te institucioneve drejtuese.