Ja plani se si do të vijojë vettingu, për 1 vit 200 dosje të shqyrtuara

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gati planin se si do të veprojë për sa i përket vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët. KPK do të ketë rolin e një gjykatë në këtë proces. Për këtë arsye do të ngrihen trupat gjykues të cilët do të jenë 12, të ndarë në 4 grupe, me nga 3 anëtarë. Pasi të jetë realizuar kjo, do të përzgjidhen me short emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të verifikojë cdo grup. Shorti do të hidhet një herë në dy muaj, çdo datë 15. Në çdo short do të përzgjidhen 3 çeshtje, pra çdo grup do të ketë 9 gjyqtarë apo prokurorë për të verifikuar. Në dy muaj do të përzgjidhen 36 emra, në një vit do të shqyrtohen rreth 200 dosje. Plani është hartuar që për 5 vite ky proces të përfundojë totalisht.

Puna ka filluar me 3 krerët e drejtësisë, ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe kreun e Gjykatës së Lartë, Xezair Zaganjori. Trupat që do të gjykojnë këta 3 emra janë përzgjedhur dhe shumë shpejt pritet të japin rezultatet. Duke qenë se më 15 janar do të hidhet shorti për emrat e tjerë, do të thotë se deri në këtë datë do të kemi një vendim të Komisionit të Kualifikimit. Komisioni do të jetë si një gjykatë dhe prokurori njëkohësisht. Secilin prej emrave të prokurorëve apo gjykatësve do të hetohet nga 3 persona, duke shqyrtuar dosjet mbi pasurinë, pastërtinë e figurës dhe karrierën. Më pas ata do të japin vendimin tamam si në gjykatë, duke argumentuar se përse u arrit në këtë konkluzion. Më pas të skualifikuarit mund t’i drejtohen Kolegjit të Pavarur të Apelimit.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet