Kandidatët për prokuror në seancë dëgjimore, ja dosjet e bujshme që kanë gjykuar

Ditën e djeshme kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm janë thirrur në një seancë dëgjimore te Komisioni i Ligjeve. Ashtu edhe siç kishin paralajmëruar, opozita braktisi seancën, duke bërë që mazhoranca të vazhdojë e vetmë seancën. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ishte ai që hapi mbledhjen, duke i kërkuar kandidatëve të bënin me dije për karrierën e tyre, dhe të parashtronin platformën për postin e kryeprokurorit. Ajo që ra më së shumti në sy ishin dosjet e bujshme që kishin gjykuar disa prej kandidatëve. Arqile Koça, zbuloi se gjatë karrierës së tij si prokuror, kishte hetuar disa dosje të bujshme siç ishin ajo e “Gërdecit” dhe “Vrasja e Azem Hajdarit”. Ai u shpreh se: “Kam marrë pjesë në çështjen e Gërdecit, në atë të vrasjes së Azem Hajdarit. Sa i takon pozicionit për të cilin garoj, do të thoja se është me rëndësi që të ecet përpara me zbatimin e reformës në drejtësi. Prokurori i Përgjithshëm duhet të marrë kompetencat sa i takon zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ajo që ka rëndësi është një përmirësim i bashkëpunimit mes organit të prokurorisë, policisë, dhe gjykatave”.

Kandidati Artur Selmani, teksa u ndaj tek karriera e tij theksoi se kishte hetuar dosjen e rrugës Durrës-Kukës. “Reforma në drejtësi do të ndryshojë mendësinë e vjetër. Prokurorët kanë ende reflekse të kohës së vjetër. Kthimi i besimit të publikut tek prokuroria duhet të krijohet me zbatimin e reformës në drejtësi. Kam hetuar edhe dosjen e rrugës Durrës-Kukës”, tha Selmani. Kandidati Besnik Muçi theksoi se ka hetuar çëshje të rëndësishme dhe sensitive. “Kam hetuar çështje të rëndësishme dhe sensitive. Kam hetuar çështjen e vrasësve me pagesë, dhe ‘bandën e Babagjyshëve’. Po kështu kam hetuar çështjen e bandës së Lushnjës. Kemi patur sukses në hetimin e këtyre çështjeve. Kam kontribuar për ligjin e konfiskimeve. Jam në proces doktorature, dhe trajnues për gjyqtarët. Jam i angazhuar në aktivitete specifike”. Ndërkohë faza tjetër konsiston të premten, ku do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar dokumentacionin e kandidatëve.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet