Katër ministri nënshkruajnë marëveshje për internet të isigurt. Prezantohet aplikacioni i ri telefonik

Në kuadër të ditës ndërkombëtare të “Internetit të sigurt”, Ministri i shtetit për inovacionin dhe administratën publike, Ministria e punëve të brendshme, Ministria e mirëqenies sociale dhe rinisë, Ministria e arsimit dhe sportit, me mbështetjen e UNICEF nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, për rritjen e efikasitetit të ndërveprimit institucional në funksion të sigurisë online për fëmijët. Marrëveshja synon rritjen dhe promovimin e sigurisë online të fëmijëve ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, shfrytëzimi, abuzimi, rreziqet dhe kërcënimet që vijnë nga përdorimi i internetit në Shqipëri. Të katër institucionet marrin angazhime konkrete për krijimin e Mekanizmit Kombëtar për Sigurinë Online të Fëmijëve, forcimin e kuadrit ligjor, shkëmbimin e të dhënave të rasteve të fëmijëve dhe adoleshentëve, viktima të dhunës dhe shfrytëzimit në internet, vendosjen e një dialogu konstant me aktorët e shoqërisë civile dhe industrisë së internetit e komunikimit etj. Në funksion të këtij bashkëpunimi është prezantuar edhe platforma isigurt.al, e cila ka si mision kryesor bashkërendimin e përpjekjeve për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima të abuzimit dhe dhunës seksuale në internet, për të identifikuar dhe bllokuar materialet e paligjshme dhe ato me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet. Kjo platformë vjen edhe në formën e një aplikacioni telefonik ndihmë të prindërve, mësuesve, profesionistëve që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijeve dhe të gjithë komunitetit për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi online.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet