Kodheli në Bruksel, takon ministrat e mbrojtjes së NATOs

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli mori pjesë në punimet e ditës së parë të Ministerialit të Mbrojtjes, që po zhvillohet në Bruksel, ku u trajtuan dhe u morën vendime mbi forcimin e mbrojtjes kolektive të NATOs. Në ditën e parë të takimit, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, diskutuan veçanërisht mbi parimet bazë të ndërtimit të konceptit të ri të NATO-s për frenimin e rreziqeve dhe mbrojtjen. Gjithashtu u bë dhe një përditësim mbi implementimin e Planit të Veprimit të Gatishmërisë (RAP) të NATO-s, si dhe u shpërnda një informacion njohës mbi investimet e Mbrojtjes.

“Shqipëria mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e vet në ndërtimin e një mbrojtjeje moderne dhe efikase të NATO-s, për të luftuar rreziqet aktuale dhe ato të ardhshme. Në pritje të zhvillimit të Samitit të Varshavës, duhet të synojmë një qasje të re për mbrojtjen e Aleancës, ku një nga shtyllat më të rëndësishme mbetet zbatimi i Planit të Veprimit për Gatishmërinë”, nënvizoi ministrja Kodheli në ndërhyrjen e saj në këtë pikë, e cila solli në vëmendje rritjen e Buxhetit të Mbrojtjes për vitin 2016 si një tregues pozitiv për vendin tonë dhe që mbështet vendimet e marra në Samitin e Uellsit. “Këto para do të përdoren në mënyrë efikase, në veçanti për rritjen e kapaciteteve dhe modernizimit të Forcave të Armatosura” tha Kodheli.

Në takimin me homologun e saj rumun, Kodheli, e uroi Mihnea Motoc për marrjen e detyrës si ministër i Mbrojtjes i Rumanisë dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të Shqipërisë me Rumaninë. “Jemi të interesuar të forcojmë nivelin e angazhimit midis ministrive të Mbrojtjes respektive dhe forcave të armatosura”, tha ajo.

Ministri rumun u shpreh i kënaqur për mbajtjen e këtij takimi, gjatë punimeve të Ministerialit të Mbrojtjes dhe falenderoi ministren Kodheli për kontributin që Shqipëria jep me dy oficerë shtabi në strukturat e krijuara së fundmi në Rumani, në kuadër të Planit të Veprimit të Gatishmërisë.

Në fund, ministrat ndanë të njëjtin mendim mbi sfidat dhe rreziqet në rritje për drejtimin jugor të NATO-s, si terrorizmi, migracioni, luftëtarët e huaj terroristë, etj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet