Komisioni Hetimor për shkarkimin, Meta: Zgjedhjet i anulova pasi do të digjej Kuvendi

Komisioni Hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta ka nisur sot me dëshminë e Presidentit Meta në lidhje me shfuqizimin e datës 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe caktimin e datës 13 tetor.

Në nisje të seancës, Kreu i Komisionit, Ulsi Manja u shpreh se “Komisioni duhet të shohë përtej rastit konkret. Respektimi i parimeve vihet shpesh herë në provë duke u mbështetur në parime”.

“E vetmja mënyrë që debatet politike të kenë aq vend sa duhet është sistemi që kemi zgjedhur duke hequr dorë nga vendimet e çastit. Kushtetuta nuk përcakton detaje për ushtrimin e kompetencave por janë udhëheqësit e shtetit që i nxisin. Sot presidenti dëshmon si presoni ndaj të cilit ka nisur një procedurë për shkarkim. Kjo mbledhje do të incizohet për t’u zbardhur autentikisht”, u shpreh Manja.

Presidenti Meta në fjalën e tij tha se, “të gjithë aktet e mia janë publike lidhur me dekretet për shfuqizimin e datës 30 qershor si datë për zgjedhje vendore dhe dekretimi i datës 13 tetor si datë zgjedhjesh të përgjithshme. Unë kam dhënë një përgjigje për kryeparlamentarin Ruçi e cila është bërë publike. Kam një bindje të plotë që çdo politikanë duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve. Jam i bindur që Kuvendi e ka bërë gjykimin para se të nisë këtë proces”.

Kreu i shtetit tha se veç Kushtetutës së Shqipërisë, është bazuar edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, dhe në marrëveshjen e stabilizimin asociimit për vendimet e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Para komisionit hetimor për dekretet e tij, Presidenti tha se detyra e tij është të garantojë detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë. Duke thënë se në themel të kushtetutës është pluralizmi politik, ai tha se qytetarëve u duhej bërë e qartë dallimi mes votimeve dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Për të dhënë edhe disa të dhëna për të qartësuar. Po e nis me çështjen e parë të mbrojtjes apo shkeljes së Kushtetutës që i takon qytetarit shqiptar sa i takon të zgjedhurit. Nuk ka nevojë për shumë interpretime për të përcaktuar se çdo të thotë të zgjedhësh. Konventat e përcaktojnë shumë mirë dallimin mes votimit dhe zgjedhjes. Gjykata Ndërkombëtare në vitin 2015 ka marrë një vendim të ngjashëm ndaj Bullgarisë për një shkelje të vitit 2009. Në arsyetimin e gjykatës thuhet se e drejta e votës e garantuar nga neni 3 e protokollit nuk është e limituar në zgjedhjen e një kandidatit. Vota duhet të garantojë të drejtën e zgjedhjes në të kundërt zgjedhësit do i mungonte e drejta e tij. Presidenti me dekretin e tij ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes së qytetarëve shqiptarë. Nëse presidenti e ka respektuar apo e ka mbrojtur të drejtën e zgjedhjes”, u shpreh Meta.

“Presidenti e ka për detyrë më shumë sesa vetë qeveria që të garantojë detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, për këtë arsye mandati i presidentit është 5-vjeçar ndërsa i qeverise 4-vjeçar, që të garantojë vazhdimësinë e detyrimeve ndërkombëtare. Përpara këtij parimi kushtetues çdo lloj afati është tërësisht sekondar, ndërsa parësore është mbrojtja e të drejtës për zgjedhjeve. Askush më shumë se gjykata europiane e të drejtave të njeriut, nuk mund ta sqarojë më qartë këtë të drejtë të zgjedhjes”, tha Meta.

Presidenti Meta u shpreh gjithashtu se një nga arsyet që e shtyu të anulojë zgjedhjet ishte fakti se kishte pasur një informacion sekret që thoshte se në protestën e 8 qershorit do i vihej flaka Kuvendit të Shqipërisë.

“Një arsye themelore është siguria e vendit. Presidenti ka pasur informacione të mjaftueshme për përpjekjet për të organizuar akte destabilizimi në vend. Një ditë para se presidenti të bënte paralajmërimin e tij për anulimin e datës 30 qershor kam marrë një informacion sekret dhe të klasifikuar i cili bënte të qartë që persona të caktuar do shfrytëzonin mitingun e opozitës për djegien e Kuvendit të Shqipërisë. Ky ishte një informacion tërësisht i besueshëm. Po të kemi parasysh pasojat dhe konfrontimet në protesta me shumë policë të plagosur, duke i kombinuar këto rrethana pa dyshim që presidenti nuk mund të pranonte një situatë të tillë, një ngjarje që mund të prodhonte edhe pasoja për jetën e qytetarëve dhe shkatërrim të imazhit tonë. Do të ishte goditje shumë e fortë jo thjesht për zgjedhjet por kthim i madh pas për vendin dhe të dy palët kishin dhënë shembuj të shkëlqyer të vendosmërisë për të ecur drejt konfrontimit dhe për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi mbi pasojat”, u shpreh Meta.

vijon…

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet