Kryeministri: Nëse PD nuk pranon, do ta zgjedhim me shumicë votash kryeprokurorin

Kryeministri Rama i ka bërë sërisht thirrje kreut demokrat për sa i takon çështjes së emërimit të një kryeprokurorit të përkohshëm. Pas disa ftesave të njëpasnjëshme të cilat kanë marrë refuzimin e Bashës, Rama tha se mazhoranca do ta zgjedhë e vetme me shumicë votash kryeprokurorin. Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se në rast mungese dialogu nga pakica parlamentare, mazhoranca do ta zgjedhë me shumicë të thjeshtë kreun e ri të organit të akuzës.

“Për të zgjedhur prokurorin e përgjithshëm të përkohshëm, gjë që është mbështetur qartësisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nuk do të resht së përsëritur deri në sekondën e fundit ftesën për opozitën që të bëhet pjesë e këtij procesi sepse nuk mundet që avazi të fillojë gjithmonë nga e para sa herë ka një hap për të bërë në zbatimin e reformës në drejtësi. Nëse opozita nuk kontribuon në interes të vendit, do të zgjedhim me shumicë të thjeshtë kryeprokurorin”. Ndërkohë kreu demokrat në një dalje për mediat është shprehur se nuk do ta pranojë ftesën e kryeministrit për bashkëpunim me qëllim shkeljen e Kushtetutës.

“Kushtetuta e ka bërë të qartë. Prokurori i përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e votave, prokurori i përgjithshëm nuk mund të zgjidhet pa veting. Rama do ta emërojë për të mbrojtur paratë e pista të drogës, për të mbyllur dosjet e krimit, dosjet e Tahirit, Habilajve, Balilajve, të oficerëve të lartë të policisë në kërkim, të Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt, Ilir Beqajt. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe nga asnjë parti politike me një keqbërës që dëshiron të shkelë Kushtetutën për të emëruar një prokuror që të mbyllë aferat dhe dosjet kriminale. Thirrja ime e vetme për Edi Ramën është: Të zbatojë Kushtetutën”, tha Basha.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet