Kurti: Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur në takim ditën e sotme ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Luigi Di Maio.

Sipas Zyrës së shtypit të kryeministrit Kurti në takim morën pjesë gjithashtu edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca dhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Lindita Haxhitasim.

Në takim u theksua bashkëpunimi i ngushtë që dy vendet kanë, si dhe rëndësinë që kanë këto marrëdhënie bashkëpunimi për rajonin.

Ministri Maio e uroi kryeministrin Kurti për detyrën e re dhe i shprehu gatishmërinë e shtetit italian për ta ndihmuar qeverinë e Kosovës në reformat e saj, sidomos në fushën e drejtësisë, ku shteti italian ofron përvojën e tij. Gjithashtu Di Maio theksoi vendosmërinë e shtetit italian për mbështetjen e Kosovës me investime, me theks të veçantë në punësimin e të rinjve.

“Nga ana e tij, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në luftën e krimit dhe korrupsionit si hap kryesor, si dhe investimet në fusha që gjenerojnë vende pune, sidomos për të rinjtë dhe gratë. Duke folur për rolin e BE-në si projekt i paqes dhe prosperitetit, ai tha se kjo organizatë do të bëhet e plotë atëherë kur në të do të anëtarësohen të gjitha shtetet e kontinentit, përfshirë këtu edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Të dy palët u pajtuan që dialogu me Serbinë duhet të sjellë paqe mes të dy vendeve, si kusht për stabilitet të rajonit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së shtypit të kryeministrit Kurti.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet