Kushi: Hapja e negociatave vlerësim i merituar, jo dhuratë. Opozita po cenon integrimin

Deputetja e PS-së, Evis Kushi, deklaroi sot në Kuvend se vendi ynë e meriton çeljen e negociatave, pasi ka bërë më shumë se pesë kushtet kyçe të kërkuara nga Bashkimi Europian.

Sipas Kushit, hapja e negociatave do ishte një vlerësim i merituar i punës së bërë për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Europian, ndërsa nënvizoi se opozita me veprimet dhe mos veprimet e saj, po i jep vendeve skeptike argument për të qenë kundër çeljes së negociatave.

“Hapja e negociatave nuk është një dhuratë, por vlerësim i merituar. Shqipëria ka bërë progres jo vetëm në pesë prioritetet kyçe si kusht për t’u integruar në BE, por dhe në të gjitha fushat e tjera. Këtë s’e deklaron vetëm Hahn, por të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Europian. Në të njëjtën linjë është shprehur dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, ç’ka u konfirmua nga vizita e z. Palmer, i cili theksoi se Shqipëria ka një qeveri që ka dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, një qeveri partnere që bashkëpunon ngushtë dhe mirë me SHBA. Ai deklaroi se institucionet e qeverisë janë legjitime e funksionale. Parlamenti e qeveria s’kanë asnjë problemë në marrjen e vendimeve dhe miratimin e ligjeve. Ai shprehu besimin se kjo qeveri ka të gjithë mundësitë që ta çojë vendin drejt BE-së, të vijoi luftën ndaj krimit, luftën ndaj trafikimeve dhe të vijoi realizimin me sukses Reformën në Drejtësi”, – tha Kushi.

“Edhe pse ambicia jonë është edhe më e madhe, s’mund ta mohojmë progresin. Një aktor shumë i rëndësishëm në këtë proces është qeveria, që ka më shumë përgjegjësi për këtë progres. Nga krahu tjetër kemi dhe aktorë të tjerë, që s’kanë përgjegjësi për ta çuar përpara procesin e integrimit, por kanë mundësi ta pengojnë, vonojnë apo dhe bllokojnë. Dhe me shumë keqardhje, më duhet ta pranojë se e tillë është opozita, që sot ndodhet jashtë kuvendit, që me thirrjet e saj, me dhunë ndaj policisë, institucioneve, natyrisht dëmton imazhin e vendit dhe nxit vendet skeptike në vendimin e tyre kundër hapjes së negociatave dhe kështu edhe me mos veprimet e saj. Me mospjesëmarrjen në institucionet ku i takon të jetë, ka vonuar Reformën në Drejtësi, ka vonuar miratimin e kodit të ri zgjedhorë”, – tha Kushi në fjalën e saj.

Deputetja Kushi shtoi se “mazhoranca duhet të jetë edhe më e përkushtuar për të zgjidhur problematikat e shumta, por nga ana tjetër dhe opozita duhet të heq dorë nga politika e saj e baltës, shpifjes dhe rrugës”.

“Opozita duhet të jetë në tryezën e diskutimeve, dialogut, në tryezën e reformës zgjedhore dhe aty kemi mundësi që të bëjmë shumë gjëra të mira për këtë vend”, shtoi Kushi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet