Kuvendi mblidhet sot për komisionet Ad hoc

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka thirrur sot një seancë të posaçme, për ngritjen e komisionit ad hoc (në orën 18:00) që do të verifikojë kandidatët e institucioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Institucionet e rivlerësimit përbëhen nga tre organe: nga Komisioni, Kolegji i Apelimit dhe dy Komisionerë publikë dhe zëvendësat e tyre, në total janë 27 anëtarë të këtyre strukturave. Por në kushtet kur opozita ka bojkotur parlamentin, ngritja e komisionit ad hoc mbetet e bllokuar, pasi ka përbërje të barabartë anëtarësh, 3+3, nga maxhoranca dhe opozita. Kjo e pamundëson dhe vendimmarrjen e tij. Opozita paralajmëroi të shtunën se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme. Vetëm pak minuta pasi kreu i opozitës Lulzim Basha mbajti fjalimin në çadër, kryeministri Edi Rama shkruan në Twitter: “Sot në Kuvend nis rruga e Vettingut! Mund ta bllokojnë përkohësisht po s'do ta pengojnë dot popullin të heqë qafe pengmarrësit e drejtësisë”, shkruan Rama në profilin e tij në Twitter.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet