Kuvendi në seancë plenare, betohen 7 deputetë të rinj

Kuvendi zhvillon sot seancë plenare, ku ndër të tjera pritet të betohen edhe 7 deputetë nga listat e PD-së dhe LSI-së që pranuan mandatin e deputetit.

Një ditë më parë, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe anëtarëve të tij, u mblodh Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të verifikuar mandatin e deputetëve të rinj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka dhënë mandatin e deputetit kandidatëve vijues të listave respektive: Lefter Maliqi, Elda Hoti, Edlira Hyseni, Ediola Braha dhe Majlinda Halilaj.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, u shpreh dakord për vendimet e KQZ-së duke përcjellë raportin për në seancën e sotme plenare.

Gjithashtu, në seancën plenare pritet miratimi i Projektligjit “Për nxitjen e punësimit”; projektligji “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin “Siguria e digave”; projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2017, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës energjetike, faza III” si edhe projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet