Ligji detyron garantimin e objekteve që janë në funksion të NATO-s

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka inspektoi të enjten aeroportin “Nënë Tereza”, bashkë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, efektivët e dislokuar mbrëmjen e djeshme përgjatë perimetrit të sigurisë së aeroportit pas ngjarjes së ndodhur.

Në një prononcim për mediet, Xhaçka tha se “nuk po diskutohet dislokimi i trupave, por marrje e masave të sigurisë të një infrastrukture ushtarake”.

Sipas saj, ligji detyron garantimin e objekteve që janë në funksion të NATO-s.

“Është praktikë që është bërë në shumë vende të tjera. Ky nuk është precedent i padëgjuar ndonjëherë, por i përsëritur që na detyron të marrim përsipër për të garantuar sigurinë e qytetarëve, në radhë të parë”, – tha Xhaçka.

“Nuk ka dislokim trupash ushtarake. Nuk kemi situatë të cenimit të sigurisë kombëtare ku do duhej të kishim marrë miratim të parlamentit, jo të Presidentit, kemi vetëm cenim të sigurisë së një objekti të rëndësisë së parë, nuk kemi cenim të Kushtetutës”, – tha ministrja.

“Gjysma e pistës është infrastrukturë ushtarake, i takon Komandës Ajrore. Këtu ulen edhe avionë ushtarakë, kemi prezencë ushtarake edhe në Aviacionin Civil. Nuk po diskutojmë dislokim trupash, por marrje të masave të sigurisë të një infrastrukture ushtarake. Policia jonë ushtarake e ka për detyrë një gjë të tillë, me sinjalizim të komandave, jo me sinjalizim të ministrit, shtabit, apo aq më pak presidentit. Është ngjarje e përsëritur, që po hetohet. Deri kur koncesionari të marri masat për të pasur garanci në mos cenimin e aeroportit ne do të jemi këtu. Ligji na detyron të garantomë objektet që janë në funksion të NATO-s”, – shtoi ministrja Xhaçka.

Duke iu përgjigjur Kreut të PD-së, Lulzim Basha, sipas të cilit me vendosjen e FA-së në Rinas shkelet Kushtetuta, Xhaçka tha se “nëse ai do kishte lexuar si duhet Kushtetutën, nuk do kishte djegur opozitën”.

“Lulzim Bashës nuk i mësojmë dot si të lexojë Kushtetutën. Nëse do e kishte lexuar si duhet, nuk do e kishte djegur si kalli opozitën. Ka një ligj, ka një marrëveshje me aeroportin e Rinasit për përdorim të përbashkët, për marrje masash për siguri të përbashkët. Policia ushtarake do ruajë perimetrin e sigurisë së aeroportit, jo për të hyrë brenda, është praktikë që është ndjekur në vende të tjera”, – përfundoi ministrja Xhaçka.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet