Ligji i ri për të pastrehët

Qeveria ka gati projektligjin e ri për strehimin social që pritet të shqyrtohet së shpejti në Kuvend. Ky projektligj parashikon 6 lloje programesh sociale të strehimit ku familjet në nevojë do të përfitojnë sipas kushteve lligjore. Individët apo familjet nuk mund të përfitojnë nga më shumë se një program njëkohësisht, ndërsa në rast mos kualifikimi në një program është detyrë e njësive të vetëqeverisjes vendore të ofrojnë mundësinë për të kaluar dhe përfituar nga një program tjetër. Familjet do të përfitojnë nga këto programe sociale banesë me qira, përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese deri në një ndërtim të ri, programi për krijimin e banesave të përkohshme.

Nga ky projektligj përfitojnë ata që nuk kanë në pronësi një banesë ose banojnë në banesa jashtë standardeve në fuqi, për të cilat normat e strehimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave; Kanë mbetur të pastrehë, si rezultat: i fatkeqësive natyrore; i prishjes së objekteve të pakualifikuara si banesë. Sipas këtij projektligji çdo individ që ka mbushur moshën 18 vjeç dhe familjet e regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësitë e vetëqeverisjes vendore që plotësojnë kushtet e këtij ligji, marrin statusin e përfituesit për programet sociale. Përparësi në përzgjedhje do të kenë familjet me një prind që kanë në ngarkim fëmijë, familjet me më shumë se katër fëmijë, të moshuarit që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në azile, bashkëshortët me moshë mesatare deri në 60 vjeç.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet