Liria, Drejtësia, Siguria: diskutohen legjislacionet në Bruksel

Për tre ditë me radhë në Bruksel u mbajt takimi për kapitullin 24 ”Liria, Drejtësia, Siguria”, mes Komisionit Europian dhe Shqipërisë në kuadër të procesit ‘screening’ . Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj shpjegon rëndësinë e këtij procesi për Kapitullin 24 dhe se çfarë ndodhë më tej. "Këto tre ditë që ishin mjaft të ngjeshura dhe impenjative, kuptuam që në disa pika legjislacioni shqiptar është në harmoni dhe në disa pika duhet akoma të përmirësohet. Kapitulli 24 është shumë voluminoz, me shumë pjesë legjislacioni por besojmë që përveç Ministrisë së Brendshme që mund të konsiderohet lider përsa i përket përafrimit të legjislacionit në këtë kapitull, duhet edhe bashkëpunimi i institucioneve të tjera, duke filluar që nga Prokuroria dhe duke mbaruar tek agjencitë e tjera ligjzbatuese”. Gjithashtu, zv.ministri i Brendshëm shpjegon se si e transformon ky proces kuadrin ligjor shqiptar. “E sjell në harmoni të plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian, që do të thotë, kjo do të diskutohet pastaj në takimet bilaterale gjatë negociatave, do të ketë vend për ndërhyrje. Nuk besojmë që do të ketë një shndërrim total apo ndërhyrje drastike në legjislacioni shqiptar sa kohë kemi një përpjekje më tepër se 10-vjeçare që përpiqemi gjatë gjithë kohës që të përafrojmë legjislacionin me atë të BE-së”, deklaron Hodaj.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet