Listat e hapura/Hajdari: Votojmë një ndryshim historik

Deputetja e opozitës Rudina Hajdari u shpreh se, “votimi sot në Kuvend për listat e hapura në procesin zgjedhor, është një ndryshim historik”.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Hajdari tha se, “ka patur shumë prej jush që ishit skeptik, disa sepse nuk e kuptonin rëndësinë e listave të hapura ndaj qytetarëve shqiptarë. Por sot po votojmë një ndryshim historik për vendin tonë, pikërisht hapjen e listave”.

Jam krenare, tha ajo, për këtë kauzë, sepse nga një çështje periferike, për të cilën shqiptarët nuk ishin shumë të interesuar dhe të informuar për këtë çështje, së bashku me kolegët tanë dhe me një pjesë të shëndoshë të shoqërisë civile arritëm ta kthenim në një nga çështjet më të mbështetura nga publiku i gjerë që tashmë është një çështje që mbështetet pa rezerva nga e gjithë klasa politike.

“Këtë fitore ia dedikoj qytetarëve shqiptarë“, tha ajo.

“Sigurisht pa mbështetjen e qytetarëve ky votim do të ishte i pamundur. Ia dedikoj asaj shumicë që kanë qenë kundër kësaj klase politike për 30 vite, mënyrës sesi ata e kanë qeverisur këtë vend. I kanë imponuar dy apo tre veta, kryetarë të partive axhendën e tyre personale dhe ky vend ka arritur të bëhet akoma më i varfër dhe i korruptuar pikërisht prej axhendës së tyre “- deklaroi Hajdari.

Hajdari tha se “mesazhi im sot është për qytetarët. Me këtë fitore që po korrim sot, për hapjen e listave ne e kemi në dorë të administrojmë për ata deputetë që do të zgjedhim nesër”

“Me këtë armë që kemi në dorë, ua heqim sado pak fuqinë kryetarëve dhe ua kthejmë qytetarëve. Por ju siguroj që asgjë nuk do të vlejë në këtë përpjekje nëse ne në zgjedhjet e ardhshme nuk dalim në votime dhe nuk ia japim votën atyre kandidatëve që vërtetë përfaqësojnë qytetarin shqiptarë”- tha ajo.

“Ne duhet të luftojmë për të ndëshkuar të gjithë ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve. Në këtë parlament në 2021 ju garantoj që do të vijnë ata njerëz që e meritojnë të ndershëm dhe të mirë. Falë listave të hapura ju mund ta bëni këtë dhe kjo është e mundur. Me votën tuaj qytetarë ju do të sillni deputetët punëtorë”- tha Hajdari.

Me votë nesër, theksoi Hajdari gjatë fjalës së saj, do të sillni ata qytetarë, profesorë që janë të nderuar dhe jo një lëpirës, apo kriminel, apo matrapazë. Do të sillni në pushtet ata që nuk lakmojnë paranë. Shqipëria sot ka një ndarje të madhe dhe kjo nuk është mes të majtëve dhe të djathtëve. Ndarja është mes atyre që kanë gllabëruar shumicën e pasurive të këtij vendi. Që kanë marrë pasuri e prona në bregdet”.

“Ndarja sot është midis atyre që jetojnë në luks dhe atyre që rropaten nga mëngjesi deri në darkë. Ndarja është mes atyre që kanë gjithçka dhe atyre që kanë pak, ose ndoshta asgjë. Ndarja sot është midis të shkuarës dhe të ardhmes. E ardhmja do të varet nga mënyra se si do të përdorim këto armë. Me listat e hapura do kemi mundësi që ta zhdukim këtë ndarje. E kemi këtë mundësi sot ndaj ju ftoj që të bëjmë realitet. Eja ta ndryshojmë këtë vend. Unë besova se ndryshimi do të ndodhte. Ia dola, jo e vetme, por me një armatë njerëzisht që ishin idealist dhe qëndrestarë. Sot nuk është thjesht një hap për listat, por kemi hedhur hap drejt ndryshimit. Urime shqiptarë, urime Shqipëri”, – deklaroi Hajdari.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet