Lufta kundër krimit të organizuar, Xhafaj nënshkruan marrëveshje me homologun maqedonas

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi një vizitë në Maqedoni, ku u prit në Ohër nga homologu maqedonas Oliver Spasovski. Në axhendën e bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë, luftës kundër trafikut të drogës, terrorizmit, si dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Gjatë kësaj vizite u nënshkrua “Protokolli i bashkëpunimit për luftën kundër terrorizmit”, i cili u finalizua pas një pune të ekspertëve nga dy vendet. Pas takimit, në konferencë për mediat, ministri Xhafaj u shpreh:

“Mund t’iu them se nuk kishim asnjë çështje ku ndaheshim, ishin të gjitha çështje që kishim dakordësi shumë të mirë midis nesh.Kishim dakordësi për të gjitha këto çështje, për bashkëpunimin që kemi dhe për bashkëpunimin që duhet të ndërtojmë.Dhe nuk kishte se si të ishte ndryshe, për shkak se kjo është produkt i atij raporti të shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve, dy qeverive dhe dy popujve tanë. Ne jemi fqinjë të mirë me njëri tjetrin.Detyra jonë është t’i shërbejmë kësaj miqësie, kësaj fqinjësie të mirë. Dhe ne diskutuam me Ministrin dhe ekipin e tij disa tema të rëndësishme për t’i avancuar ato më tej”.

Një çështje tjetër, me rëndësi në bisedimet e zhvilluara ishte ngritja e një Qendre Rajonale e Bashkëpunimit Policor, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky projekt i propozuar nga Xhafaj ka marrë mbështetje nga vende të ndryshme të BE-së, nga Komisioneri Avramopulos, dhe u përkrah plotësisht edhe nga Ministri Spasovksi.

“Unë besoj se çështjet që diskutuam për luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër krimit të organizuar, kontribuojnë për qetësinë dhe sigurinë në dy vendet tona, por kontribuojnë për qetësinë dhe sigurinë edhe në rajon.Po ashtu iniciativat ku ne bashkëpunojmë deri më sot apo iniciativat e reja që dëshirojmë të zhvillojmë më tej i shërbejnë miqësisë ndërmjet dy vendeve por edhe të ardhmes së rajonit”. Gjatë bisedimeve të sotme u ra dakord gjithashtu edhe për nisjen e punës për ngritjen e pikave të përbashkëta kufitare në Qafë Thanë, Tushemisht dhe Trebisht.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet