''Mazhoranca është e gatshme të japë një letër të bardhë dhe opozita të shkruajë të gjithë garancitë që kërkon''

“Ne nuk negociojmë as demokracinë, as Kushtetutën dhe zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2021 pa asnjë lloj diskutimi”, deklaroi zv/k.ministri Erion Braçe, i ftuar në një studio televizive ku foli për situatën politike në vend. "Nga pikëpamja politike, sigurisht që dalja nga Kuvendi e opozitës është e rëndë, ka bojkotuar demokracinë. Është situatë e vështirë sa i përket segmentit politik, por sa i përket segmentit ligjor, situata është shumë e qartë. Kemi një mazhorancë të dalë nga zgjedhje të njohura. Kemi dhe një qeveri të dalë nga kjo mazhorancë, e cila është kushtetuese dhe legale dhe nuk mund ta vendos këtë në diskutim asgjë”, tha Braçe. Braçe komentoi edhe ftesën për dialog të kryeministrit Edi Rama drejtuar liderit të opozitës, duke thënë se mazhoranca është e gatshme të japë një letër të bardhë dhe opozita të shkruajë të gjithë garancitë që kërkon. “Ne jemi gati të flasim për të gjitha garancitë që kërkon opozita dhe këtë e kemi bërë prej një viti, përfshirë edhe këtë historinë e blerjes së votave. Por ne nuk mund të kthehemi në histori të vjetra. Zgjedhjet e 2017-ës janë bërë nga dy parti PS dhe PD. Jemi të gatshëm tani t’u japim një letër të bardhë dhe të shkruajnë të gjitha garancitë që kërkojnë. Përfshirë edhe votimin elektronik, megjithëse koha po kalon”, shtoi ai. Lidhur me “Dosjen 339”, Braçe tha se “është një dosje nën hetim dhe nuk ka lidhje me blerjen e votës, por për aktivitete kriminale”. Braçe komentoi edhe protestën që ka paralajmëruar opozita për nesër, duke theksuar se të “sulmi mbi institucionin duhet të marrë një përgjigje të qartë ligjore. Është e rëndësishme që sa herë atje tej parlamentit ka një masë njerëzish që synojnë sulmin fizik ndaj deputetëve dhe Kuvendit. Sulmi mbi deputetin nuk është mbi Braçen, por është sulm mbi institucionin. Me sa duket është e qartë, fuqia e kësaj mazhorance janë ato numra në parlament dhe PD e LSI e ndjen veten të parëndësishme. Më shumë sa u bë në Maqedoni nuk mund të bëjnë. Do futen brenda do godasin dhe do të përfundojnë pas hekurave”, tha ai.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet