Mbledhja mes qeverisë Shqiptare dhe maqedonase, Rama: të miratohet ligji për gjuhën shqipe

Qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase kanë zhvilluar mbledhjen e përbashkët, për herë të parë ditën e djeshme në qytetin e Pogradecit. Pas përfundimit të kësaj mbledhje, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp. Kryeministri Rama, e vuri theksin te bashkëpunimi i mëtejshëm midis dy vendeve, në mënyrë që konfliktet e së shkuarës të marrin fund. “Siç e keni ndjekur në mbledhje u fol edhe për marrëveshjen e Ohrit dhe jemi shumë të inkurajuar. Ky është një gur themeli për forcimin e demokracisë dhe rritjen e mirëqenies jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri. I jep fund një historie ku konfliktet e së shkuarës kërcënojnë që të na rikthehen në pengesa në rrugët e të ardhmes”, tha Rama. Ndër planet e përbashkëta mes dy qeverive do të jetë lëvizja e lirë e mallrave, për të nxitur eksportet. Një çështje me rëndësi që u dikutua ishte gjithashtu gjuha shqipe në Maqedoni. Rama tha se shpreson që ligji për shtrirjen e gjuhës shqipe në Maqedoni të miratohet dhe zbatohet sa më shpejt.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev deklaroi gjatë konferencës së përbashkët se duhen ndërtuar marrëdhënie më të afërta mes dy vendeve, në mënyrë që të krijohet paqe dhe stabilitet në rajon. Më tej, ai u premtoi qytetarëve shqiptarë në Maqedoni se shumë shpejt do të mund të flitet gjuha shqipe. “Gjuha ka kaluar fazën e parë në Parlament. Tani duhet që kryetari i Parlamentit të caktojë seancën, ku do të votohet përfundimisht ky ligj. Unë ftoj të gjitha partitë ta mbështesin këtë ligj. Pres që Maqedonia të mbështesë këtë zgjidhje evropiane. Ligji do të aprovohet në fund të janarit”, tha kryeministri Zaev.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet