Mesi: Qeveria e fokusuar tek depolitizimi dhe rritja e performancës së administratës

Zëvendëskryeministrja Senida Mesi ka qenë sot e pranishme në një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut pranë Kuvendit të Shqipërisë për të raportuar në lidhje me Reformën në Administratën Publike për arritjet dhe sfidat gjatë vitit 2017-të dhe planet e 2018-ës. E pranishme në këtë seancë dëgjimore, ka qenë gjithashtu edhe Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike (DAP), Albana Koçiu.

Në fjalën e saj, Mesi nënvizoi se gjatë vitit 2017-të, Qeveria Shqiptare ka punuar për një administratë publike të qëndrueshme e të depolitizuar dhe se ka qenë plotësisht e angazhuar për shndërrimin e administratës në një shërbyes me standarde për çdo qytetar e biznes. Në këtë kuadër, ajo theksoi se në administratë ka vend vetëm për punonjës me integritet, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.

Për sa i përket arritjeve gjatë vitit 2017-të, Mesi u shpreh: “Më konkretisht, në 2017-tën kemi realizuar përmirësimin e përformancës së administratës publike falë zbatimit rigoroz të legjislacionit për nëpunësin civil, përmirësimit të sistemit të rekrutimit, përforcimit të kapaciteteve të DAP e komunikimit ndër-institucional, si dhe zhvillimit e vënies në funksionim të Regjistrit Qendror të Personelit (HRMIS). Kemi gjithashtu mesatarisht një rritje të pagave prej 10%, ku kanë përfituar të gjithë nëpunësit dhe punonjësit e administratës publike”.

Gjatë raportimit në Komision, Mesi u ndal gjithashtu edhe tek reforma e ristrukturimit të ministrive dhe institucioneve të varësisë, për të cilën nënvizoi faktin se kjo reformë është ndërmarrë në zbatim të vizionit të Qeverisë Shqiptare për një qeverisje të qendërzuar tek qytetari.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet