Meta dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor të votuara nga Kuvendi më 23 korrik

Presidenti Ilir Meta dekretoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit.

Presidenti Ilir Meta, thuhet në njoftimin e Presidencës, ashtu siç kishte garantuar, ditën e sotme pa asnjë vonesë ka dekretuar me shpallje ligjin nr. 101/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë i vetmi produkt i marrëveshjes konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit të dakordësuara në Këshillin Politik, që mundëson vijimin e sigurtë të rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe që kishin konsensusin dhe gjithë-përfshirjen e të gjithë aktorëve politikë në vend”.

“Presidenti Meta, rithekson edhe një herë se, dialogu politik, gjithëpërfshirës, transparent dhe i sinqertë ndërmjet forcave politike për të gjitha çështjet që prekin zgjedhjet është e vetmja rrugë që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian dhe e bën Reformën Zgjedhore në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR, siç ka kërkuar Këshilli Europian në 15 kushtet e vendosura për hapjen e negociatave”, thuhet në njoftim.

“Për muaj me radhë Presidenti i Republikës ka përsëritur thirrjen që, çdo ndryshim në lidhje me ligje të rëndësishme, duhet të bëhen vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik”, theksohet në njoftim.

“Presidenti Meta, gjen rastin të falenderojë të gjitha ato forca politike që me angazhimin e tyre të sinqertë dhe vullnetin e treguar në Këshillin Politik, mundësuan arritjen e këtij rezultati në 5 qershor që u kodifikua nga Parlamenti i Shqipërisë në datën 23 korrik përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat dekretohen sot”, vuri në dukje Presidenca.

“Presidenti Meta do të jetë si gjithmonë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave të patjetërsueshme, lirive dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre përballë çdo akti të ndryshimeve të njëanshme, të dhunshme dhe me urgjencë të pajustifikueshme, si ai i Kushtetutës, që asgjësojnë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet