Meta kundër rekomandimit të KE-së: Shikoni faktet

Një ditë pasi Komisioni Europian propozoi çeljen e negociatave mes BE dhe Shqipërinë, Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Në letrën e tij, Meta thekson se Shqipëria është duke kaluar një situatë dramatike politike.

Duke e nisur letrën me besimin se rekomandimi Komisionit, do të përkrahet nga vendet anëtare, Presidenti nuk pajtohet me gjetjet e shkruara nga Komisioni Europian.

“Në këtë pikëpamje nuk mund ta fsheh keqardhjen time lidhur me “fotografimin” e fakteve për procesin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese për të cilën thoni: “Ka një mosmarrëveshje lidhur me një nga të nominuarit e fundit për shkak të interpretimit të procedurave të emërimit nga ana e Presidentit të Republikës”. Ekziston në të vërtetë një mosmarrëveshje lidhur me procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues, por kjo vjen nga interpretimi i ndryshëm prej shumicës qeverisëse e cila tenton të kapë Gjykatën Kushtetuese të vendit duke përshkallëzuar krizën sui generis në Shqipëri”, deklaron Meta.

“Shumica ka spekuluar publikisht për të përfituar mbështetje të plotë nga BE duke miratuar masa legjislative antikushtetuese përfshi këtë ligj. Kam kërkuar të di qëndrimin zyrtar të parlamentit për këtë çështje, por kam hasur në heshtje përballë këtyre akuzave”, thekson ai.

Në këtë letër dërguar në Bruksel, Meta shpreh ankesa edhe për misionin e EURALIUS në Tiranë.

“Dua t’u theksoj se i vetmi aktor që në mënyrë të pashpjegueshme që nuk më është përgjigjur është misioni EURALIUS 5, një trupë e thirrur për të ndihmuar autoritetet në këtë çështje lidhur me reformat e BE”, shprehet ai.

“Ndërsa Komisioni Europian do të bëjë gjithmonë përpjekjet e tij më të mira për të patur një bashkëpunim dhe partneritet të ngushtë me çdo qeveri shqiptare, unë besoj se Komisioni Europian duhet gjithashtu të mbajë në zemër interesat më të mira të popullit shqiptar. Çdo mbështetje për erozionin e mëtejshëm të demokracisë dhe ligjit të së drejtës në vendin tim, vetëm do të përshkallëzojë krizën aktuale dhe do të inkurajojë shpopullimin e Shqipërisë”, shprehet ai.

Në përfundim, Meta shprehet se “unë do të qëndroj i palëkundur në mbrojtje të integritetit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese si e vetmja shpresë për një qeverisje me llogaridhënie përmes parimit Check and Balance, në mënyrë të posaçme përballë kësaj situate politike dramatike në Shqipëri”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet