Meta pritet nga homologu i tij në Quirinale

Në kuadrin e vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit sot nga Presidenti i Republikës Italiane, Sh.T.Z. Sergio Mattarella, në Sheshin e Nderit të Pallatit Quirinale. Pas interpretimit të himneve kombëtare, të dy Presidentët zhvilluan bisedimet zyrtare ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë e shqiptarëve në 25 vitet e fundit dhe duke iu referuar kësaj vizite të parë jashtë vendit, që pas marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës, vlerësoi në mënyrë të veçantë mikpritjen e demonstruar nga Italia dhe italianët për shqiptarët, si më shumë se pesë shekuj më parë, ashtu edhe në fillim të viteve ’90.

Të dy Presidentët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve e dy popujve dhe ndanë mendimin se këto marrëdhënie duhet të marrin më shumë substancë dhe të zgjerohen edhe më tej, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Në këtë drejtim u theksua interesi për një prezencë më të madhe të kompanive italiane, veçanërisht në sektorët strategjikë.

Presidenti Meta theksoi se Italia ka qenë e do të mbetet një partner i gjithanshëm dhe i pazëvendësueshëm për Shqipërinë.

Presidenti Meta i kushtoi një rëndësi të veçantë çështjes së arritjes së marrëveshjes me autoritetet italiane në fushën e sigurimeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Itali, si dhe afirmimit të vlerave dhe kontributeve të tyre në rritje në jetën ekonomike, shoqërore e politike italiane.

Një vëmendje të veçantë të dy Presidentët i kushtuan bashkëpunimit për çështjet e sigurisë dhe të rendit, duke theksuar nevojën e rritjes së koordinimit dhe të bashkëveprimit mes institucioneve ligj-zbatuese për të luftuar me efikasitet krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet e paligjshme në Mesdhe dhe në dy anët e Adriatikut, në veçanti atë të narkotikëve si rrezik jo vetëm për Shqipërinë e Italinë, por edhe për Evropën.

Të dy Presidentët ndanë mendimin se zbatimi në kohë dhe me sukses i reformës në drejtësi, do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në afrimin e shpejtë të vendit me Bashkimin Evropian.

Roli konstruktiv i Shqipërisë, bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë e të mirëkuptimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimi i Italisë për paqen, stabilitetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të veçantë në bisedimet mes dy Presidentëve.

Presidenti Mattarella e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes së Italisë për Shqipërinë, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në atë të integrimit në Bashkimin Evropian. Presidenti Mattarella nënvizoi se: Shqipëria është shumë e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe përcaktuese me rolin konstruktiv që ajo luan.

Në kuadër të angazhimeve të partneritetit strategjik dhe institucionalizimit të takimeve periodike mes dy krerëve të shtetit, Presidenti Meta e ftoi Presidentin Mattarella për një vizitë shtetërore në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet