Meta: Letra për të ndihmuar KE, shpresëplotë për çeljen e negociatave

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se letra dërguar Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Olivér Várhelyi nuk ishte për ta bërë të ditur për publikun, por për të ndihmuar Komisionin Europian në korrigjimin e një fraze në progres raport për ngërçin në Gjykatën Kushtetuese.

Në një konferencë për shtyp, Meta tha se “qëllimi i letrës nuk ishte bllokimi i negociatave”. Presidenti citoi letrën e plotë dërguar Komisionerit Várhelyi, ku thuhet se “mbetej shpresëplotë që vendet e BE do e vlerësonin rekomandimin e KE-së për hapjen e negociatave”.

Presidenti theksoi se “letra ishte për të sqaruar që mosmarrëveshja në Gjykatën Kushtetuese është krijuar nga interpretimi i ndryshëm që mazhoranca i bën Kushtetutës duke kërkuar të kapë edhe këtë institucion, dhe jo si rezultat i interpretimit të Presidentit”.

I pyetur nëse i druhet faktit që kjo letër do të ndikojë në vendimmarrjen e BE-së për hapjen e negociatave, Meta thotë se përgjegjësinë duhet ta ndiejë mazhoranca.

“A i druhem unë të vërtetës që kam 3 vjet që po ua them ju qytetarëve të Shqipërisë, gjithë përfaqësuesve ndërkombëtarë që vijnë këtu, mazhorancës, qeverisë, opozitës, që kam bërë çdo gjë që Shqipëria 1 minutë të mos rrinte pa Gjykatë Kushtetuese, i dinë përpjekjet e mia dhe kush e minoi, dhe të mos ndjejnë përgjegjësi për këtë situatë ata që e kanë shkaktuar? E ka shkaktuar vetë mazhoranca që tani do të kapë Gjykatën Kushtetuese, pa të cilën nuk ka bashkëjetesë paqësore në këtë vend, sepse nuk ka më arbitër. Pse të mos i druhen ata të tjerët nga ana e ndërkombëtarëve që nuk i janë përgjigjur paralajmërimeve të presidentit. Kush është përgjegjësia e presidentit këtu? Ka vetëm një interes, pushtet absolut dhe për të minuar interesat kombëtare”, tha ai.

I pyetur nëse i qëndron vendimit për shpërndarjen e parlamentit pas 15 marsit, Meta tha se “integriteti i Gjykatës Kushtetuese është vijë e kuqe, e patë uraganin kuqezi”.

“Po dëgjoja pak më parë Kryetarin Kuvendit lidhur me këtë çështje dhe kam vetëm një pyetje shumë miqësore institucionale se pse duhet të krijohet kjo situatë kur presidenti në kohën e duhur ka kërkuar bashkëpunim, i ka kërkuar të veprojë sa më shpejt për anëtarin e parë dhe nuk ka marrë asnjë lloj përgjigje. Atij dhe deputetëve i kam bërë një mesazh publik. Besoj se ai do të kërkoj hetime për çështjen e Ministrisë së Drejtësisë. Faktet e reja kërkojnë një analizë edhe nga Kuvendit për t’u pozicionuar në shtetin e së drejtës ose në anën e shtetit mafioz, u shpreh Meta.

Ndërsa lidhur me reagimin e Kryeministrit Rama i cili deklaroi se “për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij”, Meta u përgjigj se:” A ka ndonjë gënjeshtër nga këta këtu? Letra është e përkthyer në shqip. Me këto skandale mbi skandale rruga vetëm vështirësohet prandaj ti thërrasin mendjes e të mos përgatiten për alibi e për të shpikur armiq se gjoja i ka thënë presidenti këtyre ministrave që kanë ardhur që të mos na çelin negociatat, kjo është marrëzia më e madhe. Të na çelin nga dje jo nga sot. Por nëse është një situatë që e ka parë gjithë bota do i thuash si është e vërteta. Dhe përsëri të na fusin brenda sa më shpejt sepse kjo është në interes të të gjithë popullit shqiptar”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet