Ministri Italian për Shqipërinë: 6 mujori i vitit që vjen vendimtar për integrimin e vendit

Ministri i drejtësisë në Itali, Andrea Orlando, zhvilloi një vizitë pune në Tiranë ku nënshkroi edhe një memorandum në fushën e drejtësisë me ministren Etilda Gjonaj. Duke shprehur mbështjetjen e Italisë për integrimin e Shqipërisë në BE, Orlando theksoi se 6 muajt e paë të vitit që vjen janë vendimtarë për integrimin. “Italia mbështet fuqimisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ne mendojmë si shumë ambicioze zgjedhjen që ka bërë Shqipëria për të bërë reforma në shtetin e së drejtës dhe kjo përkon me hapat për çeljen e negociatave. Do të jetë shumë e rëndësishme që të gjithë këto veprime të reformës çfarë rezultati do të japin brenda 6 mujorit të parë të vitit që vjen. Nuk na takon ne që të caktojmë një datë, por ekzistojnë të gjitha parakushtet për hapjen e këtij procesi”. Për sa i përket memorandumit që u nënshkrua mes dy vendeve, parashikohet që të ketë një rritje të bashkëpunimit sa i takon aspektit legjislativ dhe penal. “Rëndësia e memorandumit të sotëm nuk është një bashkëpunim mes dy qeverive tona, por një memorandum, një bashkëbisedim mes subjekteve të juridiksioneve të të dy vendeve tona. Një politikë bashkëpunimi mes gjykatave të dy vendeve, prokurorive, noterëve dhe të gjithë atyre që kanë të bëjnë me këtë sistem”, tha ministri italian. Ndërsa Gjonaj e cilësoi marrëveshjen e bashkëpunimit si një shtysë të fortë për të çuar përpara reformën në drejtësi në aspektin legjislativ dhe atë institucional.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet