Ministria e Shëndetësisë mohon akuzat: S’ka rënë zjarr, i tërhoqëm vëmendjen stafit

Ministria e Shëndetësisë vazhdon të mos pranojë që në këtë godinë ka rënë zjarr për të djegur dokumentete e tenderave sekretë, ashtu siç e akuzon PD. Fill pas deklaratës së Bardh Spahisë, ministria u shpreh se emaili i publikuar është thjesht një tërheqje vëmendjeje për stafin.

“Në përgjigje të akuzave të Partisë Demokratike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se nuk ka rënë zjarr në institucion. “Zbulimi” i bërë sot nga PD i referohet një emaili “tërheqje vëmendje” të para 26 ditëve, nga përgjegjësja për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj të cilës më pas është marrë masë administrative. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hedh poshtë aludimet dhe shpifjet e PD, që kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore, kur e di i madh e i vogël se çdo dokument zyrtar ruhet në Protokollin e Ministrisë dhe të çdo institucioni. Duke bërë publik këtë email, i cili dërgohet rëndom nëpër institucione për t’u tërhequr vëmendjen punonjësve, PD ka demonstruar edhe një herë se protokollet e sigurisë dhe masat disiplinore në MSHMS, funksionojnë më së miri.”

Në fund të reagimit, Ministria e Shëndetësisë thekson edhe një herë se është e hapur për hetim nga ana e organeve të drejtësisë. Demokrati Bardh Spahia nxori këtë të dielë një email të Ministrisë së Shëndetësisë si provë zyrtare që sipas tij, konfirmon rënien e zjarreve në zyrën e prokurimeve.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet