Molotov në protestat e opozitës, Bushati: Basha, skenar rus

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka theksuar se veprimet e kryetarit të Partisë Demokratike me protesta me Molotov janë të ngjashëm me një skenar rus. Gjatë një interviste për “Top Channel”, Bushati theksoi se hedhja e bombës Molotov është e dënueshme dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk duhet të ndjekë skenarë rusë.

“Ne si mazhorancë kemi detyrë të dyfishtë, të sjellim stabilitet dhe të krijojmë normalitetin që duhet të ketë një vend, aq më tepër me sfidat që ka Shqipëria sot, si në planin ekonomik, ashtu dhe atë politik për aspektin e integrimit në BE”, tha Bushati.

“Nga krahu tjetër, ne si mazhorancë na duhet të luajmë dhe rolin e munguar të opozitës për të sjell stabilitet. Ne me opozitën s’mund të jemi dakord për shumë çështje, kjo ndodh në shumë vende të botës, prandaj dhe ka zgjedhje. Zgjedhje ka edhe në Norvegji e Suedi, prandaj ka votime çdo katër vite, sepse kërkohet më shumë nga të gjithë, sado mirë të jetë një mazhorancë, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë nga mazhoranca, ka dhe nga ata që sado e mirë të jetë mazhoranca nuk e kthejnë mendimin e tyre. Kjo është pjesë e lirisë”, tha Bushati

“Kudo në Europë kemi një moment të tranzicionit të politikës, kemi ndarjen nga politika e pas luftës së ftohtë në një politik progresive dhe konservatore apo dhe parti jashtë sistemi që përpiqen të futen në sistem me metoda nacionaliste ekstreme. Ama kjo s’duhet të ndodh në Shqipëri për shkak të misionit që kemi, dhe për këtë jemi në mikroskop nga BE, pasi ne kërkojmë që të hymë në BE. Një parti e madhe si PD, shtoi Bushati, nuk mund të ndërmarrë nisma të tilla që janë zakonisht të partive të vogla të spektrit të largët të djathtë apo të majtë, që përmes revolucionit kërkojnë të imponohen në sistem”, tha Bushati

“Shqiptarët presin më shumë nga Partia Socialiste, si forcë progresiste, si forca e parë politike në Shqipëri, si një forcë që gjithnjë ka qenë e hapur ndaj shoqërisë dhe dialogut, por tashmë na është vënë një dilemë përpara, ku na kërkohet të komprometojmë tërësisht procesin demokratik atë të ndryshimit të pushtetit me votë e të kënaqim një opozitë të pakësuar, të zvogëluar që s’dëgjon zërin e votës dhe që si një fëmijë i vogël nuk pranon rregullat e lojës”, tha Bushati.

“Pra ne jemi përpara dy zgjidhjeve, ose mbrojmë proceset demokratike, ose ta ndërrojmë pushtetin në tavolinë dhe të biem pre e shantazhit të opozitës, të atyre që pretendojnë se janë opozita, pasi Kryemadhi dhe Basha pretendojnë se kanë vulën dhe përfaqësojnë të gjithë opozitën, ndërkohë që nuk është kështu, pasi opozita ka shumë spektra”, vijoi Bushati.

Deputeti i PS-së tha se qytetarët duke parë irracionalitetin e opozitës në protesta, aq më shumë zgjidhjen e shohin te mazhoranca.

“Ne e kuptojmë këtë. Sa më irracional të jenë Basha e Kryemadhi, aq më shumë njerëzit presin nga ne zgjidhje. Me lejoni t’ju them se Policia është treguar shumë racionale në veprimtarinë e saj gjatë protestave të opozitës. E dimë që qytetarët presin që mazhoranca të jetë 100% të saktë ne, ashtu siç dimë që duke parë si është opozita i anashkalohen 100 të meta. Janë thënë gjëra për policinë që nuk qëndrojnë. Të shtunën ishte protesta e gjashtë dhe pati dhe bomba ruse molotov, se kuptoj përse duhet kjo zgjidhje ruse nga opozita. Nuk është e lehtë rrish nën bombën Molotov prej 6 orësh dhe nuk pati asnjë reagim jashtë mase. Nuk pati dhunë brutale. Edhe policët janë bashkëshort, janë vëllezër, janë kryefamiljarë”, shtoi ai.

“Ne, tha Bushati, pranojmë që ka vende për përmirësim, por opozita sheh zgjidhje të bomba Molotov. Dje Basha bëri mirë një tërheqje pas sa i takon molotovit, bëri mirë që dëgjojë partnerët tanë ndërkombëtarë”, vijoi deputeti Socialist.

“Shoh z. Basha që po përdor një skenar rus me bomba moltov dhe nuk i shkon përshtat opozitës. Basha është bërë dhe si ai i Koresë së Veriut për çështjen e ultimatumit. Ultimatumi një është nuk është shumës, Basha ka bërë rreth 270 të tilla. Më lejoni t’ju them se nuk cakton Basha apo Rama se kush është kryeministër, e caktojnë me vota shqiptarët. Në vitin 2017 Basha ishte pjesë e qeverisë, kishte ministra e zv/ministra, kishte një pjesë të mirë të pushtetit dhe për herë të parë zgjedhjet u pranuan nga të gjithë”, vijoi Bushati

“Qytetarët shqiptarë kanë votuar përfaqësues të tyre në kuvend. Dhe Deputetët e larguar nga kuvendi kanë braktisur qytetarët duke zbritur në rrugë, ndërkohë që qytetarët janë në rrugë vetë, nuk ka nevojë të shkonte dhe Basha në rrugë. Qytetarët dalin në protestë shumë herë më mirë se Basha vetë. Do kishte burra, gra, fëmijë. Në një botë perfekte ne do i donim në zgjedhje, por ato s’janë sepse ne do i fitonim të gjitha bashkitë dhe prandaj është larguar Basha nga procesi”, tha Bushati.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet