Ndihma ekonomike e dërgon debatin në Kuvend

Rama: Reforma do vazhdoj, Basha: E fute vendin në kolaps

Kryeministri Rama dhe kryetari i PD-së kanë debatuar lidhur me heqjen nga skema e ndihmës ekonomike e mbi 20 familjeve të varfra shqiptare.

Rama shprehet i vendosur për të çuar para reformën e ndihmës ekonomike që ai e quaj një reformë të vonuar për më shumë se çerek shekulli.

Lot krokodili i quan ai kërkesat e opozitës, duke u shprehur se “pengojnë që të shikohet një gjë që duhet përsëritur”.

“Këtu u bë disa kohë që flitet në hava për 20 mijë familje të larguara nga skema, po nuk thuhet asgjëkundi që këto ndryshme që ne sollëm përmes fillimit të zbatimit të reformës kanë mundësuar që 15 mijë familje të përfshihen për herë të parë, ndërkohë që me skemën e vjetër nuk përfshiheshin dot. Nuk thuhet po ashtu që ende pa iu përllogaritur janë 10 mijë e 63 familje që kanë përfituar për herë të parë ndihmë ekonomike që deri dje përjashtoheshin vetëm për shkak të gropave dhe shtigjeve të mbyllura të skemës së vjetër e cila ishte fund e krye në duart e partive, kryetarëve të komunave e bashkive, në duart e këshillave i jepnin ndihmë ekonomike vetvetes. Lotët e krokodilëve që derdhen përditë në mungesë të ideve, programit, lidershipit të një opozite që nuk di ku ka kokën e jo më tu gjejë rrugën atyre që kërkojnë rrugë për të ardhmen, pengojnë që të shikohet një gjë që duhet përsëritur. I jepnin ndihmë ekonomike deri në 6 mijë lekë të vjetra njerëzve këta, që sot vijnë këtu e kërkojnë llogari për një tjetër nga plagët e rënda që e hapën dhe infektuan me keqqeverisjen dhe shurdhërinë e verbërinë e tyre. 15 mijë familje që më parë trajtoheshin me ndihmë ekonomike të pjesshme deri në 10 mijë lekë të vjetra në muaj, sot përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë, deri në 80 mijë lekë në muaj dhe në bazë të kritereve ndihma ekonomike sot shkon deri në 110 mijë lekë në muaj”, shprehet Rama.

Në përgjigje të fjalës së kryeministrit Rama për skemën e ndihmës ekonomike, Basha tha se kreu i qeverisë refuzon të takojë njerëzit, ata që i ka hequr nga ndihma ekonomike, duke u shprehur se ka humbur kontaktet me popullin.

“Nuk mund të zgjidhet si kacafytje me opozitën, si sundim antiopozitar, që në fakt është e vetmja gjë që Edi Rama mund të bëjë, jo të qeverisë, të reformojë, të zhvillojë ekonominë po ta zhysë në krizë e kolaps.

Preokupimi i tij është që si gjithmonë ta hedhë fajin diku tjetër. Tani fajin për dhjetra mijëra familje pa ndihmë ekonomike, pa bukën e gojës dhe asnjë shpjegim pse janë hequr nga ndihma ekonomike e ka përsëri opozita. Fajin nuk e ka ky që i hoqi nga ndihma ekonomike, po e ka opozita. Vendi ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, sociale dhe psikologjike.

Vendi ndodhet në krizë të thellë morale. Është e vërtetë që reforma nisi nga qeverisja jonë, po një nga kriteret kryesore të kësaj reforme ishte transparenca e sistemit të pikëzimit, që do i tregonte qartësisht shqiptarëve se cilat janë kriteret, mbi bazën që vendosen nëse një familje e përfiton apo jo.

Është pikërisht mbajtja sekret e Edi Ramës që e ka çuar në një masakër sociale. Kam parë nga afër çfarë ti rrefuzon ta bësh, refuzon të përballesh me krimin tënd, të shkosh e të shohësh se si ushqehen që në mëngjes me qepë e lakra turshi, se kjo të nxjerr bllof, të prish atë pak stabilitet të ka mbetur dhe që ke humbur çdo kontakt me popullin tënd.

Reforma e nisur në 2012 tani është marrë peng nga synimi yt për të përdorur të varfërit si mish për top, me qëllim t’i blesh në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kjo është skema politike që t’i po përdor sot”, tha Basha.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet