Ngjarja në Rinas, Kryemadhi: Cenim i sigurisë kombëtare

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sot se ngjarja e ndodhur në Rinas është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm qytetarët, por dhe sigurinë në vendin tonë.

Në një deklaratë për mediet, Kryemadhi tha se “nëse një aeroport ndërkombëtar, i një vendi anëtar të NATO-s, mund të hyhet dhe mund të cenohet në mes të ditës nga bandat e krimit të organizuar është cenim i sigurisë kombëtare, por edhe cenim i sigurisë rajonale. Sot qytetarët shqiptarë ndihen të pasigurt, sepse Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, që duhet të jetë vendi i parametrave më të larta të sigurisë, paraqitet si një objekt i atakueshëm nga kriminelët sa herë që u duhet atyre për ta atakuar këtë institucion, por edhe sa herë që atyre u duhen para për t’u bërë gati përpara zgjedhjeve”.

Sipas saj, “qytetarët ndihen krejtësisht të pasigurt, sepse nuk shohin askënd që të jetë larguar nga detyra, apo të jetë hetuar, apo të jetë thirrur nga Prokuroria. Por përkundrazi qytetarët shqiptarë shohin që arrestohen e thirren nga Prokuroria, ata të cilët luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, të cilat i kanë ndërtuar me gjak, me djersë dhe kanë mbi 27 vjet që i paguajnë taksa shtetit shqiptar”.

Kryemadhi tha se “të gjithë vazhdojnë t’ja hedhin fajin njëri-tjetrit, nga ministri, nga drejtorët, nga policia, nga koncesionarët e kështu me radhë, duke bërë deklarata boshe. Një ngjarje e tillë e rëndë, që përsëritet vazhdimisht në këto vitet e fundit sa herë që kriminelët duan të hyjnë, të sulmojnë dhe të grabisin, tashmë është bërë një provë e qartë e dështimit të qeverisë”.

Sipas saj, kjo gjë ndodh për arsye se Policia e Shtetit ka dështuar dhe nuk është kundër krimit të organizuar, por kundër protestuesve dhe qytetarëve të cilat përpiqen të mbijetojnë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet