Një reformë në drejtësi pa dënuar kriminelët çfarë na shërben Ministre?

Reforma në drejtësi e Shqipërisë është një nga hapat më të mëdhenj që vendi po ndërmerr për të modernizuar dhe për të bërë transparente proceset dhe institucionet qeverisëse të tij, në një përpjekje për të përmbushur kushtet për anëtarësimin në BE, shkruan gazeta e njohur gjermane ”Die Welt”, në një intervistë me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. ”Me Gjermaninë mes vendeve të ndryshme të BE që ka treguar një interes të veçantë për këtë proces duke ofruar edhe ekspertizë në përpjekjet e Shqipërisë për këtë reformë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj flet për progresin e kryer deri tani dhe sesi perceptimet bien ndesh me realitetin në Shqipëri”, shton gazeta.

Cilat janë arritjet dhe piketat më të rëndësishme që kur keni marrë detyrën në vitin 2017?

U caktova si ministre e Drejtësisë pas miratimit të reformës në drejtësi, që është duke u zhvilluar që prej tri vitesh. Një vit e gjysmë që nga emërimi im, ne kemi arritur rezultate të mira. Reforma e drejtësisë që Shqipëria ka ndërmarrë është unike krahasuar me të gjitha reformat e tjera të drejtësisë që janë kryer, madje edhe në vendet perëndimore. Ne tani po punojmë për të krijuar institucionet e reja që duhet të jenë pjesë e kësaj reforme të re të drejtësisë. Vitet e fundit Shqipëria ka mjaft arritje. Ne e dimë se kemi ende shumë gjëra për të përmirësuar, por ajo që Shqipëria ka treguar është se ajo mbetet një kandidate e besueshme për anëtarësimin në BE.

Cilat janë shtyllat kryesore të reformës në drejtësi?

E para është pavarësia e sistemit të drejtësisë. Kjo, jo vetëm që do të thotë se gjykatësit dhe prokurorët do të marrin vendime në mënyrë të pavarur, por edhe që politikanët nuk mund të ndikojnë te gjyqtarët. Duke qenë se problemi kryesor i sistemit tonë gjyqësor ka qenë korrupsioni, në sistemin e ri ka dy mekanizma kryesore për të luftuar korrupsionin: në vetë sistemin dhe ndërmjet zyrtarëve të lartë, përfshirë ministrat. Mekanizmi i parë është konsideruar një masë tranzitore dhe ky është procesi i vetingut që ne jemi aktualisht duke e zbatuar në sistemin gjyqësor. Procesi i vetingut përfshin të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Ata duhet të kalojnë procesin e vetingut për deklarimin e pasurive, për integritetin dhe profesionalizmin e tyre. Deri tani, ka pasur rreth 100 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar nëpër këtë proces verifikimi dhe rreth 50% e tyre e kanë kaluar. Gjysma tjetër nuk ka mundur ta kalojë. Sipas legjislacionit të ri, subjektet e para që duhet ta kalojnë procesin e vetingut janë gjyqtarët kushtetues, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, prokurori i përgjithshëm, Gjykata e Apelit dhe gjykatat e rretheve dhe prokurorët. Një numër i madh i tyre janë larguar pas procesit të vetingut. Ky është një proces unik. Ne sigurojmë se garantojmë procesin e duhur për subjektet që janë shkarkuar nga sistemi, sepse kjo është një çështje shumë delikate. Pra, në bazë të dispozitave ligjore, parashikohet që dy komisione të pavarura do të kontrollojnë procesin e vetingut. Këto komisione monitorohen nga një organ i pavarur. Procesi i vetingut është kompleks. Ai nuk ka asnjë paralele me çdo reformë të bërë në ndonjë vend tjetër dhe për këtë arsye këto rezultate janë vlerësuar nga Komisioni Europian dhe nga vendet e tjera. Ne kemi hartuar reformën në drejtësi së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, me gjermanët, austriakët dhe holandezët, përfshirë organizmat kombëtare. Mekanizmi i dytë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshin Gjykatën Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK). SPAK do të ngrejë një zyrë kombëtare hetimi, e ngjashme me FBI-në. Ajo do të merret vetëm me rastet e korrupsionit ndërmjet zyrtarëve të lartë dhe me krimin e organizuar. Çdo gjë do të zbatohet hap pas hapi sepse është një sistem krejtësisht i ri.

Së dyti, janë krijuar dy këshilla të reja, të cilat janë organet drejtuese të sistemit të drejtësisë. Njëri është Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili është vetëm për prokurorët dhe e dyti është një këshill i lartë gjyqësor që është për organizimin e gjykatave, gjykatësve dhe kështu me radhë. Çdo gjë që lidhet me organizimin e gjykatave, me raste të ndryshme dhe me administratën, do të kryhet nga këto dy këshilla që janë krijuar në dhjetor 2018. Ne nuk i kemi pasur më parë këto lloj këshillash. Kemi pasur vetëm Këshillin e Lartë të Drejtësisë në të kaluarën dhe anëtarët e saj ku janë gjyqtarë brenda sistemit, me ministrin e Drejtësisë si anëtar dhe presidentin e Shqipërisë si kryetar. Këto këshilla të reja nuk do të kenë më këtë ndikim politik dhe ministri i Drejtësisë dhe presidenti nuk do të jenë më anëtarë. Këshillat e reja do të kenë gjithsej 11 anëtarë; gjashtë janë nga sistemi – gjyqtarë ose prokurorë – dhe pesë janë profesorë të fakulteteve të drejtësisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Një tjetër ndryshim që po bëhet ka lidhje me pavarësinë e prokurorëve. Në të kaluarën, prokuroria ka qenë një organ i centralizuar, por meqë tani kemi një këshill, edhe pavarësia e prokurorëve është më e bazuar mbi çështjen dhe nuk varet më nga kreu apo drejtori i zyrës. Prokurori i Përgjithshëm nuk do të zgjidhet vetëm nga parlamenti, por do të zgjidhet Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo do të thotë se nuk do të ketë më ndikim politik në sistemin e drejtësisë.

Çfarë nënkupton për Shqipërinë reforma në drejtësi?

Pavarësia e sistemit të drejtësisë i lejon Shqipërisë të ketë një ekonomi, shoqëri dhe sistem politik të qëndrueshëm dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Çdo gjë varet nga sistemi i drejtësisë.

Nëse ju garantoni pavarësinë, efektivitetin dhe mungesën e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, atëherë kjo do të thotë se fushat e ekonomisë, si prona për shembull, mund të rregullohen efektivisht përmes sistemit të drejtësisë. Kjo reformë mundëson të luftojmë korrupsionin në politikë, sepse tani mund të vetojmë politikanët në institucionet kryesore. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ajo ka marrë tre dekada kohë, por po ndodh në momentin e duhur. Ne po bëjmë reforma jo vetëm si pjesë të ëndrrës sonë për të qenë pjesë e BE-së, por edhe për të mirën e qytetarëve tanë.

Si do ta vlerësonit partneritetin dhe mbështetjen e Gjermanisë ndaj Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE?

Gjermania ka qenë gjithmonë përkrahësja më e mirë i Shqipërisë në këtë drejtim. Ne kemi pasur rastin të flasim me disa anëtarë të Bundestagut mbi këtë temë. Ajo që kemi demonstruar nuk është vetëm vullneti politik, por përkushtimi për të arritur rezultate, jo vetëm për atë që kërkohet nga BE-ja apo Komisioni Europian, por edhe në kushtet që duam të sigurojmë për qytetarët tanë. Gjermania nuk na kanë mbështetur vetëm në hartimin e reformës në drejtësi, por ajo na kanë dhënë mbështetje edhe gjatë zbatimit të saj. Në të njëjtën kohë, ne kemi pasur mbështetje konkrete nga ekspertët gjermanë për të hartuar strategjinë dhe politikat tona mbi antikorrupsionin si dhe për të përmirësuar perceptimin e publikut për masat antikorrupsion. Kur ne të hapim negociatat, shpresojmë se do të jetë një vendim i shpejtë sepse qytetarët shqiptarë, krahasuar me qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, renditen të parët në aspektin e dëshirës për të qenë pjesë e BE. Ëndrra e shqiptarëve ka qenë gjithmonë për të qenë pjesë e BE-së.

Çfarë do t’u thoshit investitorëve që duan të investojnë në Shqipëri për garantimin e investimeve të tyre?

Unë kam pasur rastin të flas me disa dhoma tregtie, duke përfshirë dhe Dhomën Gjermane të Tregtisë që është në Shqipëri, dhe çdo gjë që ata përmendin është e lidhur me sistemin e drejtësisë. Investitorët kanë nevojë për një kornizë ligjore të qëndrueshme për të investuar në Shqipëri. Çështjet e pronës janë një tjetër fushë kryesore dhe ne jemi në procesin e zbatimit të një reforme të re mbi titujt e pronësisë në mënyrë që të ofrojmë garanci për investitorët e huaj, gjë që ka qenë një pengesë për investimet gjatë së kaluarës. Investitorët kanë përmendur disa herë korrupsionin në të kaluarën. Tani, ne kemi forcuar mekanizmat tona për luftën kundër korrupsionit dhe jo vetëm në sistemin e drejtësisë. Kemi krijuar një task force institucionale që kryen hetime administrative në agjenci të ndryshme dhe ofron shërbime për bizneset. Kur flasim me investitorët gjermanë sot, ata janë të befasuar për mirë nga rezultatet që po arrijmë.

Si do ta bënit dallimin mes rreziqeve të perceptuara të Shqipërisë me realitetin?

Kur na duhet ta krahasojmë perceptimin e publikut me masat dhe rezultatet që kemi arritur ose ndërmarrë, këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Të dhënat nga Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International të vitit 2018 tregojnë se ne kemi marrë më shumë masa kundër korrupsionit në krahasim me vendet e tjera dhe jemi duke kryer reforma shumë të rëndësishme. Ka një perceptim në vendet europiane se në Shqipëri ka krim të organizuara. Por, të gjitha vendet përballen me krimin e organizuar. Krimi i organizuar nuk është një çështje lokale. Ne po përballemi me një krim shumë më tepër transnacional që ndodh në vende të ndryshme. Kjo nuk nënkupton se krimi i organizuar ka një bazë në Shqipëri. Është shumë e vështirë të merren masa kur grupet e krimit të organizuar janë jashtë Shqipërisë, sepse atëherë është një çështje e vendit tjetër. Sidoqoftë, ne po bashkëpunojmë në njësi të përbashkëta hetimi me shumë vende. Policia e Shtetit e Shqipërisë, së bashku me policitë e shteteve të vendeve të ndryshme si Gjermania dhe Holanda, po punojnë së bashku për të trajtuar çështjen e krimit të organizuar. Në tetor të vitit të kaluar, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje për të pasur një prokuror të eurozonës që do të kryejë hetime të përbashkëta me të gjitha vendet e tjera evropiane. Shqipëria është anëtare e mekanizmave të ndryshme ndërkombëtarë, përfshirë Europol.

Çfarë do të donit ju që lexuesit tanë të kuptonin rreth Shqipërisë?

Vitet e fundit Shqipëria ka shumë arritje. Ne e dimë se kemi ende shumë për të përmirësuar, por ajo që Shqipëria ka treguar është se ajo është një kandidate e besueshme për anëtarësimin në BE. Ne e dimë se ende nuk jemi të gatshëm të bëhemi anëtarë të BE-së, por mendoj se është plotësisht e drejtë që Shqipëria të mund të hapë negociatat e pranimit për shkak se ne kemi ndërmarrë reforma që janë përgëzuar shumë nga Komisioni Europian. Kur të hapim negociatat, shpresojmë se ky do të jetë një vendim i shpejtë sepse qytetarët shqiptarë, krahasuar me qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, renditen të parët në aspektin e dëshirës për të qenë pjesë e BE. Ëndrra e shqiptarëve ka qenë gjithmonë për të qenë pjesë e BE-së.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

2 Komentet

  1. gj Gjoka   e Enjte 6 Qershor, 2019

    Atyne s'po u hyn ferre ne kembe

  2. Robert Gryka   e Enjte 6 Qershor, 2019

    Per nderkombetaret😎