Nuk do të ketë konflikt social në Shqipëri, as më 30 qershor, as më 30 nëntor

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka komentuar në një intervistë televizive situatën e tensionuar politike në vend si dhe dekretin e Presidentit Ilir Meta për anulimit e zgjedhjeve të 30 qershorit.

“Nuk do të ketë konflikt social në Shqipëri, as më 30 qershor, as më 30 nëntor dhe as më 30 dhjetor për arsye se në Shqipëri nuk ekziston asnjë lloj konflikti midis shtresave, midis qytetarëve, pra një konflikt social. Ajo që ekziston në Shqipëri është një aspiratë e pashpresë për të marrë pushtetin në rrugë të paligjshme dhe kjo nuk mund të lejohet”, – tha Lleshaj.

Në lidhje me rezolutën e miratuar në Kuvend, Lleshaj u shpreh: “Dikur është zgjedhur me 87 vota dhe dje mori 100 vota kundër, është një shenjë, një mesazh shumë i qartë që përfaqësuesi i sovranit, pra i popullit, i jep Presidentit të Republikës si një shans reflektimi për të mos shkuar më tej në thyerjen e ligjit dhe shkeljen e Kushtetutës.

Këtë shoh unë si lajmin themelor të djeshëm. Se çfarë do të bëhet më tej, kjo është një çështje që meriton kohën e vet”.

I pyetur në lidhje me kërkesën për informacion të Presidentit Meta se sa deputetë ka aktualisht Parlamenti, Lleshaj u shpreh: “Unë mund të them vetëm këtë: di që në Kushtetutën e Shqipërisë, për shkak të faktit që Shqipëria është republikë parlamentare, parlamenti zgjedh presidentin, ose presidenti zgjidhet nga parlamenti dhe nuk kuptoj se si mundet që presidenti të shkarkojë, të zhbëjë, të shpërndajë organin prej të cilit ka dalë, prej të cilit buron, prej të cilit i buron fuqia e tij”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet