Operacioni i përbashkët për kapjen e bandës së hajduteve në Gjermani, Lleshaj: falënderim partnerëve

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka përgëzuar Policinë Shqiptare, që në bashkëpunim me Policinë Gjermane kanë arritur të ndalojnë një efektiv policie që në bashkëpunim me vëllain e tij shisnin në vendin tonë sende të vjedhura në Gjermani.

Sipas Lleshajt, meritojnë falënderim të veçantë partnerët gjermanë për rigorozitetin me të cilin ndjekin çdo lloj vjedhje, pa i ndarë ato në të vogla dhe të mëdha.

“Pas një operacioni të përbashkët me partnerët gjermanë, u kap në kushte flagrance një punonjës policie, i cili kishte depozituar në shtëpi një mori sendesh shtëpiake të vjedhura në Gjermani nga i vëllai”-, shprehet Lleshaj.

“Meritojnë falënderim të veçantë partnerët gjermanë për rigorozitetin me të cilin ndjekin çdo lloj vjedhjeje, pa i ndarë ato në të vogla dhe të mëdha. Falënderime meritojnë SHÇBA, Prokuroria dhe Policia e Shtetit për bashkëpunimin profesional dhe vullnetin për vetëpastrim nga radhët e personave të inkriminuar apo të padenjë që mund të kenë mbijetuar ende brenda strukturave të veta”-, nënvizon ministri i Brendshëm.

“Keqardhje për elementë të tillë që pa turp dhe pa dinjitet bien në nivele kaq të ulëta, sa vjedhin deri edhe lugët e huaja, për të nxirë pa të drejtë faqen e mijëra shqiptarëve të tjerë, që jetojnë me punë dhe dinjitet anembanë Europës”-, vijon Lleshaj.

Ministri i Brendshëm ka dhe një apel për qytetarët në mesazhin e tij. “Ftoj qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë për të informuar çdo lloj dyshimi, edhe për raste të atyre, që kanë humbur dinjitetin dhe vjedhin nëpër Europë. Kjo kategori hajnash meriton përbuzje dhe izolim shoqëror si dhe procedim të rreptë ligjor. Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligj zbatuese do të vijojnë pa asnjë luhatje luftën ndaj të gjithë formave të krimit”-, përfundon Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Më herët, Policia e Shtetit njoftojë se “SHÇBA ka ndaluar punonjësin e Policisë nga Laçi, që shiste në Shqipëri sende të vjedhura nga i vëllai në Gjermani. Ai dyshohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet