Opozita kërkon dorëheqjen e Metes

Basha konfirmon se në strategjinë e saj përfshihen edhe protestat kundër qeverisë

TIRANE - Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh mbrëmjen e së shtunës duke përcaktuar qëndrimet dhe propozimet me 5 pika për planin opozitar. Në një prononcim për mediat në përfundim të mbledhjes, kreu i opozitës, Lulzim Basha bëri të ditur se “kryesia e PD miratoi me votë qëndrimet të cilat opozita do të ndjekë duke nisur nga nesër duke konfirmuar për dorëheqjen e Metës dhe largimin e tij për aferën korruptive më të madhe; largimin e menjëhershëm të Tahirit dhe marrjen e tij të pandehur nga akuza si koka e bandave të drogës në jug. Të aprovojmë brenda shtatorit projektligjin e dekriminalizimit dhe largimin nga Kuvendi të personave me rekorde kriminale”. Kreu i partisë më të madhe të opozitës ka theksuar se, PD është e vendosur t’i shkojë në fund kësaj beteje dhe në këtë drejtim ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. “I garantoj të gjithë se PD nuk do të bëhet pjesë e asnjë kulise që për një përfitim politik të bëhet pjesë e pazareve të ndyra. Ne do luftojmë për një politikë pa krimin, për zhvillimin e vendit, kthimin e besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkimin e autorëve të shkeljeve të standardeve; dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, për një paketë emergjence për gjendjen ekonomike në vend dhe eksodin”, ka saktësuar Basha. Duke nënvizuar se PD nuk do të tërhiqet nga këto qëndrime, Basha ka konfirmuar se në strategjinë e saj përfshihen edhe protestat kundër qeverisë.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet