PD akuza të rënda ndaj kryetarit të qarkut në Kukës, dyshohej në Kosovë për trafik femrash. Oruçi fitoi gjyqin me qeverinë

Demokratët sot protestuan për emërimin në krye të qarkut të kukësit të Abedin Oruçit, person që ka patur të bëjë me drejtësinë në të kaluarën

TIRANE - Abedin Oruçi, (PDIU - ASHE), u shpall fitues si këshilltar në bashkinë Kukës, për zgjedhjet lokale të qershorit dhe sot është kryetari aktual i qarkut Kukës. Një person që ka patur të bëjë me drejtësinë në të kaluarën e tij, dhe pse demokratët e kanë cilësuar përherë si 'shkelës të rëndë të ligjit'. Ndaj tij në vitin 2009 Njësia Hetimore në Kosovë, dyshonte për implikim të mundshëm në trafik femrash dhe trafik qëniesh njerëzore në Prizren. Akuza që nuk u provuan asnjëherë, por kjo kishte mjaftuar që ai të shkarkohej nga detyra e kryekomunarit Kolsh, me një vendim të Këshillit të Ministrave.

Largimi nuk ishte pritur në heshtje prej Oruçit dhe pas një ankese të bërë, Kushtetuesja e quajti shkarkimin arbitrar dhe parimin e prezumimit të pafajsisë të cënuar. Akuzat nuk ishin vërtetuar asnjëherë dhe nuk kishte patur asnjë vendim gjykate që t'a shkruante të zezën mbi të bardhë për dyshimet e përfshirjes në trafik dhe prostitucion. Oruçi mesa duket u rikthye në post.

Një vit më vonë, më 10 Janar 2010, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive e kallëzon penalisht, për fshehjen e L30 milionë të reja. "Pas kontrollit të ushtruar nga ILDKP ndaj subjektit Abedin Oruçi, rezultoi se në vetëdeklarimet e tij pranë ILDKP, zyrtari lokal nuk ka pasqyruar: 3 objekte banimi, me sipërfaqe totale ndërtimi 1020 m²; troje me sipërfaqe të përgjithshme 3614 m²; si edhe një pikë karburanti, të gjitha në territorin e qarkut Kukës. Të dhënat janë zbuluar prej informacioneve të mbërritura nga ALUIZNI, ku subjekti ka dorëzuar dosjen për legalizimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë informale, si edhe nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Kukës. Pas konstatimit të parregullsive, Inspektorati i Lartë i kërkoi subjektit Oruçi të paraqiste sqarimet e tij mbi objektet e padeklaruara, gjë e cila u refuzua prej tij" shkruhet në faqen zyrtare të ILDKPse. Oruçi shkon përsëri në Kushtetuese e cila ia rrëzon kërkesën.

Mediat shqiptare shkruajtën se Oruçi kishte qëlluar mbi turmën në Tetor të vitit 2011, gjatë në konflikti në fshatin Mamez, për minierën e hekur nikelit.

Demokratët sot protestuan për të disatën herë ndaj këtyre emërimeve që ata i konsiderojnë të rrezikshme për proçesin e dekriminalizimit. "Edi Rama ka dërguar në krye të këshillit të qarkut të Kukësit, një person me të shkuar problematike, si Abedin Oruçi. Personazh i kronikave të zeza, mjafton të fusni në google emrin e tij për të parë sa të pasur e ka CVnë, dhe pikërisht për shkak të aktiviteteve të paligjshme u shkarkua nga qeveria e mëparshme nga detyra e kryetarit të komunës Kolsh". Paloka tha se Oruçi dje ushtroi dhunë ndaj sekretarit të këshillit të qarkut "e po ashtu, mori me dhunë zyrën e kreut të këshillit të qarkut, pas një mbledhjeje të paligjshme." PD ka kërkuar që Prokuroria të hetojë shkaqet e dhunës dhe dënoi "inkriminim e zyrës së rëndësishme të kreut të Këshillit të Qarkut të Kukësit".

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

3 Komentet

  1. loni  e Shtunë 12 Shtator, 2015

    cfare surrati qe kishte ku i gjeni more aman

  2. pikepyetja  e Shtunë 12 Shtator, 2015

    nuk me duket se ai eshte denuar nga gjykata por eshte dyshuar per perfshirje

  3. ana  e Shtunë 12 Shtator, 2015

    kriminele