PD i bën thirrje Prokurorisë të hetojë blerjen e votave

Partia Demokratike i kërkoi Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, të mos pengojë hetimet për krimet zgjedhore. Nëpërmjet një letre të datës 12 korrik, për të cilën është vënë në dijeni edhe shefja e Misionit të ODIHR, Audrey Glover, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, vë në dukje se organi i akuzës në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184/2016 dhe 339/2017, por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej shkeljeve të rënda ligjore që u konstatuan gjatë procesit antikushtetues të 30 Qershorit. Letra e numrit 2 të PD-së shpreh hapur mosbesimin e opozitës për PPP Arta Marku, për shkak të zgjedhjes së saj antikushtetuese nga qeveria e Edi Ramës.

“Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra.” – thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.

“Është koha që ambicia juaj për t’u emëruar Prokurore e Përgjithshme me ndihmën e Edi Ramës të mos pengojë hetimin e krimeve zgjedhore të partisë në pushtet, të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës dhe të krimit të organizuar me lidhje qeveritare”, mbyllet letra e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazmet Bardhi”.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet