PD: Qeveria nuk mbajti premtimin për rritjen e pagave

Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë se nuk mbajti premtimin për rritjen e pagave të mësuesve, mjekëve dhe ushtarakëve

Në një deklaratë për mediet, ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi tha se Edi Rama nuk mbajti premtimin për rritjen e pagave, siç kishte premtuar, në datën 1 prill.

“Vitin që shkoi nuk rriti as pagat e mësuesve, as pagat e mjekëve dhe të administratës. Për ta nuk u dha asnjë shpërblim sepse mirëqenia dhe trajtimi dinjitoz i tyre nuk është aspak pjesë e axhendës së qeverisë”, tha Vokshi.

Po ashtu, Vokshi tha se disa muaj më parë, Edi Rama premtoi sërish se pagat e mësuesve, mjekëve, punonjësve në shëndetësi dhe ushtarakëve do të rritën duke nisur nga 1 prilli. “Sot jemi më 4 prill. Në telefonin tim janë me qindra mesazhe të mësuesve, mjekëve dhe infermierëve që shprehin revoltën e tyre për mosmbajtjen e premtimit”, theksoi Vokshi.

“Partia Demokratike e di shumë mirë se qeveria po fsheh gjendjen e vërtetë të financave të shtetit, dhe në arkë nuk ka para mjaftueshëm, sepse muaji mars është mbyllur me minus, por rreth 60 mijë mësues, mjekë, infermierë, punonjës të shëndetësisë, ushtarakë dhe familjet e tyre, nuk kanë pse të vuajnë pasojat e korrupsionit të qeverisë”, tha ajo.

Gjithashtu, Vokshi tha se Partia Demokratike ka të gjithë vullnetin për ta nxjerrë sistemin arsimor nga kriza dhe për të shkuar me vendosmëri drejt zhvillimit. /Ata/

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet