PS takim me 25 parti politike: Mbështetje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Partitë politike të mbledhura në një tryezë konsultimi, thirrur nga Partia Socialiste, u angazhuan sot për të ndërtuar një platformë të përbashkët për një koalicion funksional dhe fitues të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Përmes një deklarate të përbashkët, forcat politike shprehën mbështetjen për ndryshimet e propozuara të Kodit Zgjedhor dhe thellimin e këtyre ndryshimeve për të garantuar depolitizim të plotë të të gjithë Administratës Zgjedhore, pjesëmarrjen e emigrantëve në proceset zgjedhore dhe përdorimin e teknologjisë për numërimin elektronik të votave në një projekt pilot qysh në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit.

Fillimisht ata analizuan situatën politike në vend dhe braktisjen e Kuvendit të Shqipërisë nga një pjesë e deputetëve të PD dhe LSI.

Duke konsideruar reagimin dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, forcat politike inkurajuan pa rezerva hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Ata shprehën mbështetjen me të gjitha energjitë për funksionalitetin e shtetit dhe normalitetin shoqëror, duke këmbëngulur për zbatimin e Reformës në Drejtësi, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe duke theksuar rëndësinë politike të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit të këtij viti.

“Braktisja nga një grup deputetësh të PD dhe LSI të Kuvendit, të tempullit të demokracisë institucionale, synon të dëmtojë rëndë interesat tona kombëtare dhe strategjike në favor të interesave të ngushta të karrierës personale dhe llogarive partiake”, deklaruan përfaqësuesit e këtyre partive politike.

Retorika dhe përdorimi i dhunës prej PD dhe LSI për qëllime politike, sipas tyre, tenton destabilizimin e vendit dhe kaosin shoqëror, duke na kthyer shumë vjet mbrapa, në të kaluarën me ngjarje të rënda të viteve ‘97 e ’98.

Ata i bënë thirrje partive politike të të gjithë spektrit pluralist në vend të respektojnë afatet e regjistrimit në KQZ sipas Kodit Zgjedhor.

Author
Hermes News

Redaksia

Shkruaj një koment

0 Komentet